Shtyhet gjykimi i Gruevskit

22:00 | 12 Prill 2018
Arbresh.info

Larg syve të opinionit publik, sot në Gjykatën Penale të Shkupit u dëgjuan bisedat telefonike të siguruara nga masat e veçanta hetimore për rastin “Ryshfeti”, në të cilin i akuzuar është kryeministri Zoran Zaev.

Ai siguron se ato biseda nuk përmbajnë asnjë dëshmi, sepse janë bërë gjatë periudhës kur ai ka qenë kryetar i Strumicës, kur sipas informatave të tij ishte përgjuar më shumë se dy vjet, gjë që siç thotë, është në kundërshtim me Ligj.

“E di se bashkë me masat e veçanta hetimore është më shumë se dy vjet, kurse sipas Ligjit, nëse bëhet fjalë për terrorizëm apo cenim të kushtetutshmërisë dhe sovranitetit të vendit, mund të përgjohet deri në një vit e gjysmë. Por, u lë institucioneve gjyqësore që të vendosin në pjesën e përgjimit. Unë nuk frikësohem nga asgjë kur bëhet fjalë për përgjimin dhe nuk kam asnjë dilemë. Le të dëgjohen bisedat”, tha Zaev, shkruan tv21.tv.

Avokatët e Zaevit kërkuan nga Gjykata që të mos merret parasysh dëshmia e afaristit Ivan Nikollov Saçevaliev, sepse siç thonë, ai tashmë ka pranuar se e ka nxitur kryerjen e veprës penale.

Lidhur me atë nëse në opinion do të lëshohet video-materiali i plotë, do të pritet vendimi i Gjykatës së Apelit.

Përveç, kryeministrit aktual, sot në Gjykatë erdhi edhe ish-kryeministri Nikola Gruevski.

Për herë të dytë po shtyhet gjykimi për parregullsi zgjedhore për rastin “Titaniku”.

Avokatët e Gruevskit kërkuan që të përjashtohen gjykatësit Osman Shabani dhe Ognen Stavrev, për çka gjithashtu do të duhet të vendosë Gjykata e Apelit.

Gruevski edhe sot reagoi për caktimin e seancave me qëllim, siç tha, pikërisht në ditën kur zhvillohen negociatat për emrin e Maqedonisë, për ta defokusuar opinionin publik.

“Tema numër një është “Titaniku”, kurse tema numër dy është emri. Herën e kaluar kur kishim seancë për këtë rast, kishte edhe negociata për emrin në Vjenë, kurse sot ka negociata në Ohër. Kështu që, tani ju merrni përfundim cili është një nga qëllimet kryesore të këtij procesi”, tha Gruevski.

Prokuroria Publike Speciale në rastin “Titaniku” akuzon 21 njerëz, mes të cilëve edhe ish-zyrtarë në Qeverinë e Gruevskit, si Jordana Jankullovska, Mile Janakievski, Martin Protogjer dhe Kiril Bozhinovski, për vepra të ndryshme.

Seanca e re gjyqësore për rastin “Titaniku” është caktuar për më 26 prill, kurse bisedat telefonike nga masat e veçanta hetimore do të dëgjohen të hënën./21Media

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme