Google ADS

Tahirit i zgjatet hetimi, Prokuroria pret dosje nga Italia e Greqia

19:41 | 12 Prill 2018
Arbresh.info

Tre muaj pasi morën kohë shtesë për hetimet ndaj dosjes “Habilaj – Tahiri”, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka ngritur sërish kartonin, duke kërkuar zgjatje të afatit hetimor edhe për 90 ditë të tjera.

Shtyrja e hetimeve është firmosur deri në datën 18 qershor, derisa autoritetet e drejtësisë jashtë vendit të kthejnë përgjigje për dy letërporosi, të cilat pretendohet t’i shërbejnë hetimit.

Në pritje të dorëzimit të dy letërporosive, njëra nga Greqia dhe tjetra nga Italia, Prokuroria e Krimeve të Rënda që po heton ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, ka kryer lëvizjen e radhës.

Grupi hetimor i ka kërkuar Inspektoratit të Lartë të Deklarimit e Kontrollit të Pasurive që t’i depozitojë deklaratën e pasurisë për vitin 2017 të ish-ministrit Tahiri.

Ky veprim hetimor vjen në një kohë kur ish-ministri i Brendshëm sipas ligjit antimafia është edhe nën hetim pasuror përderisa, ish-zyrtari i lartë aktualisht deputet i pavarur, dyshohet për trafik e korrupsion. Më herët informacione për asetet pasurore jo vetëm të Tahirit, por edhe të familjarëve të tij janë kërkuar edhe nga hipotekat, doganat, qendra kombëtare e biznesit, por edhe agjenci të tjera.

Nga ana tjetër, Gjykata e Lartë nuk ka vendosur ende një datë se kur do ta shqyrtojë kërkesën e Prokurorisë që këmbëngul që Tahirit t’i ndalohet të dalë jashtë Shqipërisë.

Kërkesa është regjistruar në datën 7 shkurt, pak kohë pasi akuza humbi në gjykatë me qëndrimet për bllokim të pasaportës së ish-ministrit. Hetimet në themel, ndërkohë gjenden në vendqëndro.

Prokurorët shpresojnë që të marrin nga italianët dhe grekët materiale shtesë që do të hidhnin dritë mbi dyshimet e tyre për çështjen më të bujshme të vitit 2017, e cila nisi nga botimet në media pas goditjes së grupit të Habilajve./Top Channel

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme