Zyra e BE-së i reagon Fitore Pacollit: Nuk janë diskutuar afatet e liberalizimit të vizave

18:53 | 12 Prill 2018
M. A.

Zyra e Bashkimit Evropian në Prishtinë, që udhëhiqet nga Natalia Apostolova, ka sqaruar se çfarë u bisedua sot në takimin që kanë pasur me Komisionin për Integrime Evropiane, nga ku deputetja e VV’së Fitore Pacolli tha sot se nga ato që thanë këta zyrtarë të BE’së ishte e qartë se liberalizim të vizave s’ka sivjet. Por nga kjo zyrë, kanë thënë për Gazetën Express se në takimin e sotëm nuk është biseduar në asnjë moment për afate vizash.

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka folur për takimin e sotëm që çoi në një përplasje për vizat mes deputetes së Vetëvendosjes Fitore Pacollit dhe kolegëve të saj Blerta Deliut e Milaim Zekës, të cilët menjëherë reaguan ndaj deklaratës së Pacollit, të cilën e quajtën të pavërtetë.

Krejt kjo përplasje ndodhi pasi Pacolli tha se në takimin e sotëm me zyrtarët e BE’së u bë e qartë se Kosova nuk do të ketë liberalizim të vizave as këtë vit.

Por kjo zyre e BE’së në një përgjigje për Gazetën Express kanë thënë se në kuadër të takimeve të rregullta me Komisionet e Kuvendit, përfaqësuesit e Zyrës së BE-së/PPBE patën rastin të diskutojnë sot me anëtarët e Komisionit për Integrime Evropiane rreth çështjeve që kanë të bëjnë me BE-në, përfshirë liberalizimin e vizave.

Ndërkaq, thonë se, i kanë inkurajuar ata që të vazhdojnë të punojnë për kriterin e fundit që lidhet me viza.

“Përfaqësuesit e BE-së inkurajojnë Kosovën që të vazhdojë të punojë me ngulm në mënyrë që të përmbushë kriterin e fundit për liberalizimin e vizave. E theksojmë se në këtë takim nuk janë diskutuar afatet e liberalizimit të vizave”, thonë për Express nga zyra e BE’së në Prishtinë.

Pacolli ka thënë se Kosova ka dështuar të bëjë hapa konkretë sa i përket luftimit të korrupsionit dhe krimit të organizuar, kushtit të fundit për liberalizimin e vizave.

“Sapo u ktheva nga një takim që e kishim me përfaqësues të Zyrës së BE-së për të diskutuar rreth përmbushjes së kriterit të luftimit të korrupsionit, për liberalizim të vizave. Nga ajo që pamë është tashëm e sigurt që nuk do të ketë liberalizim të vizave sivjet dhe është shumë e qartë që Kosova nuk ka bërë ndonjë hap konkret sa i përket luftimit të korrupsionit dhe krimit të organizuar”, ka thënë Pacolli.

Deputetja e VV-së ka thënë se përfaqësuesit e Zyrës së BE-së shpresonin se do të merrnin propozim pozitiv nga Komisioni Evropian mirëpo sipas saj, Kosova nuk ka bërë mjaftueshëm për përmbushjen e kushtit të fundit për viza

Ndërkaq, Blerta Deliu për Gazetën Express i hodhi poshtë të gjitha dëeklarimet e Pacollit. Madje e bëri të ditur se janë dhënë sinjale pozitive për vizat.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme