Paul Ryan: Nuk do të konkurroj për rizgjedhje

21:32 | 11 Prill 2018
Trina Galanxhi

Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve Paul Ryan nuk do të rikandidojë në zgjedhjet për Kongresi që mbahen në nëntor, duke hedhur dyshime të mëtejshme rreth mundësisë qe republikanët të ruajnë kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve gjatë zgjedhjeve të mesit të mandatit.

Zoti Ryan e njoftoi tërheqjen gjatë një konference shtypi sot, pas zërave disa mujorë, se ai po planifikonte të largohej nga Kongresi. Republikani i Wisconsit e drejton Dhomën e Përfaqësuesve prej vitit 2015, ndërsa ka shërbyer si ligjvënës i kësaj dhome të Kongresit prej vitit 1999.

Brendan Buck, këshilltar i kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve tha në një deklaratë se zoti Ryan do të “shërbejë gjatë gjithë mandatit të tij, përgjatë garës zgjedhore dhe do të largohet në muajin janar”.

Zoti Ryan realizoi një synim afatgjatë në dhjetor, kur Kongresi miratoi një reformë legjislative gjithëpërfshirëse tatimore.

Ai u bë udhëheqësi i Dhomës së Përfaqësuesve, me largimin e paraardhësit të tij John Boehner, pas presionit të konservatorëve të partisë së tij. Tensionet brenda partisë vazhduan edhe gjatë mandatit të zotit Ryan, me republikanët që nuk qenë në gjendje për të shfuqizuar dhe zëvendësuar ligjin për reformën shëndetsore të ish presidentit Obama një premtim i rëndësishëm i Presidentit Donald Trump gjatë fushatës së tij presidenciale.

Marrëdhënia e zotit Ryan me zotin Trump ka qenë jo të lehta kohë pas kohe, edhe pse kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve dhe Shtëpia e Bardhë kanë punuar së bashku për të avancuar agjendën konservatore të republikanëve./VoA/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme