Google ADS

Hoti akuzon Thaçin për shkelje të rezolutës së Kuvendit

16:11 | 11 Prill 2018
M. A.

Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, ka akuzuar Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, për shkelje të rezolutës së Kuvendit.

Kuvendi kishte autorizuar qeverinë që të jetë bartëse e këtij dialogu.

Tutje Hoti ka thënë se negociatat lidhur me asociacionin e komunave me shumicë serbe do të duhej të zhvilloheshin në Prishtinë, e jo në Bruksel.

Gjeni pa ndërhyrje reagimin e Hotit:

Po thellohet konfuzioni lidhur me dialogun me Serbinë.

Nuk ka rezolutë të re të Kuvendit që do të përcaktonte parimet dhe bartësit e dialogut, temat, afatet dhe ekipin negociator. Kështu që mbesin në fuqi Rezolutat e Kuvendit të viteve 2011 dhe 2012 (e datës 10 mars 2011 dhe 18 tetor 2012). Këto rezoluta e autorizojnë Qeverinë të zhvillojë dialogun, si dhe përcaktojnë rolin mbikëqyrës të Kuvendit të Kosovës. Çdo format tjetër i dialogut bie ndesh me këto rezoluta dhe, rrjedhimisht, çdo marrëveshje që arrihet është e pa pranueshme. Në këtë frymë, involvimi i Presidentit në procesin e dialogut bie ndesh me vendimin e institucionit më të lartë të vendit.

Duket se negociatat lidhur me asociacionin e komunave me shumicë serbe do të zhvillohen në Bruksel. Marrëveshja paraprake e ka përcaktuar grupin menaxhues, që do të punojë në statutin e këtij asociacioni, në bashkëpunim me MAPL, OSBE dhe BE. Kjo punë duhet të zhvillohet në Prishtinë, jo në Bruksel. Edhe Kryeministri Mustafa kishte pasur në vazhdimësi kërkesa të tilla, por duke qenë se ishte arritur marrëveshja, ai ishte i prerë që kjo çështje të përmbyllej në Prishtinë. Bartja e çështjes në Bruksel përbën rrezik për koncesione shtesë.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme