Google ADS

Hoti: Përfshirja e Thaçit në dialogun me Serbinë bie ndesh me Kuvendin

15:06 | 11 Prill 2018
V. S.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë se është duke u thelluar konfuzioni lidhur me dialogun e Kosovës me Serbinë.

“Nuk ka rezolutë të re të Kuvendit që do të përcaktonte parimet dhe bartësit e dialogut, temat, afatet dhe ekipin negociator. Kështu që mbesin në fuqi Rezolutat e Kuvendit të viteve 2011 dhe 2012 (e datës 10 mars 2011 dhe 18 tetor 2012). Këto rezoluta e autorizojnë Qeverinë të zhvillojë dialogun, si dhe përcaktojnë rolin mbikëqyrës të Kuvendit të Kosovës”.

“Çdo format tjetër i dialogut bie ndesh me këto rezoluta dhe, rrjedhimisht, çdo marrëveshje që arrihet është e pa pranueshme. Në këtë frymë, involvimi i Presidentit në procesin e dialogut bie ndesh me vendimin e institucionit më të lartë të vendit”, ka thënë Hoti, përcjell Klan Kosova.

“Duket se negociatat lidhur me asociacionin e komunave me shumicë serbe do të zhvillohen në Bruksel. Marrëveshja paraprake e ka përcaktuar grupin menaxhues, që do të punojë në statutin e këtij asociacioni, në bashkëpunim me MAPL, OSBE dhe BE”.

Sipas Hoti puna për statutin e Asociacionit duhet të zhvillohet në Prishtinë dhe jo në Bruksel.

“Edhe Kryeministri Mustafa kishte pasur në vazhdimësi kërkesa të tilla, por duke qenë se ishte arritur marrëveshja, ai ishte i prerë që kjo çështje të përmbyllej në Prishtinë. Bartja e çështjes në Bruksel përbën rrezik për koncesione shtesë”./Klan Kosova/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme