Google ADS

Ligji për shoqëritë tregtare: Kërkohen forma tjera për përfaqësimin e barabartë të të dyja gjinive

08:01 | 11 Prill 2018
Arbresh.info

Debat i ashpër ishte zhvilluar në Kuvendin e Kosovës për njërin prej amendamenteve të ligjit për shoqëritë tregtare i cili parashihte përfshirjen e grave në bordet  e shoqërive aksionare me kuotën 40%.

Por, pavarësisht këtij debati ky amendament arriti të votohej ku edhe mori miratimin e 54 deputetëve, derisa 35 votuan kundër ndërsa 5 abstenuan, shkruan arbresh.info.

Mirëpo, edhe pse mori votat e deputetëve presidenti i vendit Hashim Thaçi nuk e dekretoi këtë ligj duke e rikthyer përsëri në rishqyrtim.

Presidenti Thaçi kishte thënë që ndërhyrja e ekzekutivit me akt nënligjor, përmes caktimit të sanksioneve, në rast të mosrealizimit të kuotave gjinore të anëtarëve të bordit të drejtorëve të shoqërisë aksionare, mund të krijojë pasiguri në lirinë e aktivitetit ekonomik të shoqërive aksionare.

Njohësit e ekonomisë në vend vlerësojnë se presidenti Thaçi në këtë aspekt ka vepruar drejtë, duke thënë se Kosova është përcaktuar për ekonomi të tregut dhe mund të gjenden forma të tjera që edhe gjinia femërore të jetë e përfaqësuar.

Eksperti i ekonomisë, Lulzim Beqiri thotë për Arbresh.info se presidenti Thaçi ka marrë vendimin e duhur pasi që amendamenti specifikon se Republika e Kosovës siguron një mjedis të favorshëm ligjor për ekonominë e tregut, lirinë e aktivitetit ekonomik dhe sigurinë e pronës publike e private.

“Mendoj se përfaqësimi i barabartë i të dy gjinive do të duhej të bëhej në forma tjera alternative, jo obliguese, përderisa nëse i plotëson kushtet profesionale atëherë nuk ka pengesë të jetë në atë post asnjëra nga gjinitë”, ka thënë ai.

Sipas tij, edhe pse vendimi i presidentit është i drejtë, duhet të ofrohen modalitete të vendeve perëndimore që kanë të bëjnë me përfaqësimin sa më dinjitoz të gjinisë femërore.

“Parimisht Republika e Kosovës duhet të ofrojë alternativa për barazinë gjinore dhe mundësi të barabarta për të gjitha kategoritë duke mos sanksionuar ose diskriminuar një grup shoqëror, por njëkohësisht i bëj thirrje që të ofrohen modalitete apo praktika të mira të vendeve perëndimore lidhur me përfaqësimin sa me dinjitoz të gjinisë femërorë, gjithmonë duke mos shkel kushtetutën dhe ekonominë e tregut”, ka pohuar Beqiri.

I të njëjtit mendim është edhe njohësi i ekonomisë, Musa Limani.

Limani, ka thënë për Arbresh.info se pavarësisht kësaj parimi i strukturës gjinore duhet të respektohet.

“Parimisht unë mendoj se nuk është në rregull, por normalisht që duhet me kërkua qeveria dhe institucionet përkatëse që edhe në sektorin privat të respektohet parimi i strukturës do të thotë gjinore që mundësisht të jetë përafërsisht i barabartë”, ka thënë ai.

I pyetur se a e vlerëson të drejtë vendimin e presidentit, Limani ka deklaruar se me ligj nuk mund të përcaktohet pjesëmarrja relative e njërës apo palës tjetër.

“Unë nuk mundem me thënë që është i drejtë apo jo , por nga ajo që thash më lartë del që është i drejtë për arsye se nuk mundet me ligj me u përcaktu strukturën përkatësisht pjesëmarrjen relative të njërës gjini ose gjinisë tjetër për arsye se është ekonomi e tregut dhe varet nga vet natyra e punës, ambienti pastaj përgatitja shkollore e të tjera”, ka pohuar Limani.

Por mendim tjetër ndaj këtij vendimi ka, Agron Demi nga Instituti GAP.

Ai ka shkruar se presidenti Thaçi nuk e ka dekretuar Ligjin për shoqëritë tregtare me arsyetimin se “nuk është praktikë e zakonshme ekzistimi i dispozitave ligjore që rregullojnë pjesëmarrjen në bordet e drejtorëve të shoqërive aksionare nëpërmjet kuotave gjinore”.

Sipas tij në Kosovë aktualisht në bordet e ndërmarrjeve publike dhe agjencive të pavarura përfaqësimi i grave është nën 15%, e me siguri në shoqëritë aksionare është edhe më i ulët.

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani pas vendimit të presidentit për kthim në Kuvend të këtij ligji ka kërkuar nga legjislativi që ta kthejnë sa më shpejt në rishqyrtim këtë ligj sepse me kalimin e këtij ligji e rregullojnë veprimtarinë e shoqërive tregtare, nxisin dhe lehtësojnë themelimin dhe funksionimin e tyre./J.Zhuniqi/Arbresh.info/

 

Të ngjashme