Eurodeputeti: Irani po fokusohet në Shqipëri për të minuar statusin e “MEK”

00:58 | 11 Prill 2018
Trina Galanxhi

Struan Stevenson, politikan i njohur europian dhe anëtar i Parlamentit Europian prej 15 vitesh, thotë se “irritimi i thellë i Iranit pas transferimit të mijëra anëtarëve të lëvizjes kryesore opozitare nga Iraku në Shqipëri, si dhe humbja e mundësisë për t’i masakruar ata nuk janë aspak sekrete”.

Një transferim i tillë, për ligjvënësin europian ishte rezultat i fushatës së pashembullt të opozitës iraniane dhe mbështetësve të saj në Europë dhe Shtetet e Bashkuara.

Një lëvizje e tillë u realizua nën hundën e regjimit teokratik, ndërsa mullahët në Teheran kishin bërë çdo përpjekje për parandalimin e këtij transferimi, e kishin orkestruar dorëzimin ose asgjësimin e tyre.

Zyrtarë në Teheran e kanë pranuar se lëvizja kryesore e opozitës, “Muxhahedinët e Popullit të Iranit”, apo “MEK”, luajti rol kyç në nisjen e protestave të kohëve të fundit në mbarë vendin dhe demonstratave antiqeveritare.

Sipas “AFP”-së, më 2 janar të këtij viti, presidenti Hassan Rouhani i telefonoi shefit të Elizesë, Macron, të cilit i kërkoi të ndërmarrë veprime kundër opozitës iraniane me bazë në Paris dhe udhëheqëses së saj, Maryam Rajavi.

Presidenti francez e refuzoi një kërkesë të tillë.

Stevenson, i cituar nga “EuReporter”, pretendon se “emërimi i Gholam Hossein Mohammad Nia dhe Mostafa Roodaki, dy zyrtarë të lartë të Ministrisë iraniane të Inteligjencës (MOIS), si ambasador dhe sekretar i parë i Ambasadës në Tiranë, ka qenë një tregues i qartë i qëllimeve malinje të regjimit të mullahëve”.

Padyshim, roli i tyre është të krijojnë institucione fetare dhe kulturore, të cilat në fakt janë mbulime të paarsyeshme për aktivitetet e këqija të dy degëve të “MOIS”-it iranian në Shqipëri, që funksionojnë nën emrat e Qendrës Habiliane dhe Institutit Didban, shprehet më tej ai.

Më 22 mars, media shqiptare, – thotë artikulli, – njoftoi se dy iranianë ishin arrestuar me dyshimin për përgatitjen e akteve të terrorizmit dhe 10 persona të tjerë u arrestuan për t’u marrë në pyetje, duke shtuar se “MEK” ishte një objektiv i mundshëm./gsh/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme