Google ADS

Vuçiq reagon ndaj BE-së: AKS vetëm sipas Marrëveshjes së Brukselit

22:25 | 10 Prill 2018
M. A.

Kryetari i Serbisë Aleksandar Vuçiq ka thënë sot për televizionin publik serb se “në Bruksel 100 herë ka thënë se AKS do të formohet në përputhje me Marrëveshjen e Brukselit dhe se është i habitur me deklaratën e Brukselit se BE përkrah formimin e AKS-së me ligjet e Kosovës”.

Duke komentuar deklaratën e zëdhënëses së Përfaqësueses së lartë të BE-së Maja Kocijançiç se BE përkrah formimin e AKS-së sipas ligjeve të Kosovës, Vuçiq ka thënë: “Kjo do të thotë se ata duhet të na tregojnë se ku shkruan kështu”.

“Jam i befasuar me atë deklaratë, sepse 100 herë në Bruksel kam thënë se AKS do të formohet në përputhje me Marrëveshjen e Brukselit, me parimet dhe me planin implementues dhe vetëm në përputhje me të”, citon FoNet të ketë thënë Vuçiq.

Ai ka theksuar se nëse harmonizimi me Kushtetutën e Kosovës është e vetmja gjë me rëndësi për përfaqësuesit e BE-së, atëherë ata nuk janë neutralë ndaj statutit.

“Le ta thonë të veten ata. Ne i kemi dokumentet, ujditë dhe Marrëveshjen e Brukselit në të cilën nuk shkruan ashtu. Unë e di përmendësh Marrëveshjen e Brukselit. Njerëzit në Serbi kanë teori konspiracioni dhe ndaj imagjinojnë çfarë shkruan. I ftoj të gjithë ta lexojnë çfarë shkruan, i keni në sajtin e Qeverisë, mendoj edhe në sajtin e Presidentit dhe në atë të Zyrës për Kosovën”, ka theksuar Vuçiq.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme