Emigrantët ikin pas feste, radhë të gjata në kufi me Greqinë

20:49 | 9 Prill 2018
Trina Galanxhi

Pasi kanë festuar Pashkët në vend, emigrantët shqiptarë kanë marrë udhëtimin për t’u rikthyer në shtetin grek.

Por fluksi i menjëhershëm ka bërë që situata në Pikën e Kalimit Kufitar të Kapshticës të jetë kaotike dhe emigrantët janë të detyruar të presin në radhë me orë të tëra para se të mund t’u afrohen sporteleve për përpunimin e dokumentacionit dhe për të vazhduar udhëtimin e tyre normalisht.

“Ka shumë radhë. Ne kemi një orë e gjysmë që presim, ndërsa na duhet të presim edhe dy apo tre orë të tjera për të shkuar”, thotë një emigrant.

“Radha është krijuar pasi nuk mbahet si duhet. Ata që korruptojnë policin kalojnë pa radhë. Ne që jemi të ndershëm presim radhën”, shprehet një tjetër emigrant.

“Kemi ardhur për festat në Shqipëri dhe tani po presim këtu prej një ore dhe nuk e dimë fare se kur do të kalojmë. Nuk e kuptoj se pse policia nuk bën asgjë për të ndaluar këta që futen pa radhë”, thotë një tjetër emigrant.

Pala jonë ka punuar me 7 sportele ndërsa ajo greke me 5 të tilla por pavarësisht kësaj, fluksi i menjëhershëm i emigrantëve është shoqëruar më radhë dhe orë të gjata pritje.

Si në çdo rast festash për udhëtimin e emigrantëve nga njëri shtet në tjetrin, kufiri shqiptaro-grek mbetet barriera më e madhe./TCH/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme