Rusia i cilëson “të papranueshme” sanksionet amerikane

14:28 | 9 Prill 2018
Arbresh.info

Kryeministri rus, Dmitry Medvedev e ka cilësuar “të papranueshëm” raundin e ri të sanksioneve amerikane, si dhe i ka kërkuar qeverisë të hartojë hapa hakmarrës dhe masa të tjera për të mbështetur kompanitë ruse të prekura nga sanksionet.

Medvedev ka folur më 9 prill, tri ditë pasi Shtetet e Bashkuara kanë vendosur për ngrirje të aseteve dhe kufizime financiare ndaj zyrtarëve rusë të sigurisë, politikanëve dhe manjatëve që besohet të kenë lidhje të ngushta me presidentin rus, Vladimir Putin.

Departamenti amerikan i Thesarit ka deklaruar se sanksionet janë tentim për ta ndëshkuar Moskën për siç ka thënë “aktivitetin e dëmshëm në botë”.

Sanksionet janë vënë sipas ligjit të vitit 2017, të kaluar nga Kongresi, ndonëse me mëdyshjen e presidentit amerikan, Donald Trump.

Në muajin janar, administrata është kritikuar në Kongres dhe trupa të tjerë për publikimin e “listës së oligarkëve”, duke përmendur biznese dhe liderë politikë që potencialisht kanë mundur të ishin shënjeshtruar por që nuk janë përballur me ndonjë pasojë.

Pas vënies së sanksioneve, gjiganti rus i aluminit, Rusal ka njoftuar për rënie të vlerës të aksioneve, pasi kjo kompani dhe bashkudhëheqësi, Oleg Deripaska janë shënjestruar nga sanksionet, duke shtyrë prodhuesin të paralajmërojë për mundësi të mosshlyerjes së borxheve.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme