Google ADS

Drejtuesit e Facebook-ut nën presion për transparencë

23:47 | 8 Prill 2018
Trina Galanxhi

Mark Zuckerberg ka kërkuar falje për atë që e quan “shkelje besimi” në lidhje me shfrytëzimin e të dhënave të 87 milionë përdoruesve nga kompania Cambridge Analytica.

Në Uashington po qarkullojnë pyetje të shumta, ndërsa shefi ekzekutiv i Facebook-ut përgatitet të dëshmojë përpara Kongresit më 11 prill.

Por, nëse dëshmia do të sjellë ndryshime reale për mbrojtjen e të drejtës së privatësisë mbetet për t’u parë. Njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës Tina Trinh.

Mark Zuckerberg e pranon përgjegjësinë kur zihet në gabim…

“Ne nuk e analizuam si duhet përgjegjësinë që kishim. Dhe ky ishte një gabim i madh. Dhe ishte gabimi im” tha ai.

Po ashtu edhe e dyta në detyrë në Facebook, Sheryl Sandberg

“Kemi bërë gabime të mëdha dhe këtë e dimë”.

Por drejtuesit e Facebook-ut nuk po pranojnë tërë fajin.

“Shumica dërrmuese e të dhënave që Facebook-u di rreth jush, e di sepse keni vendosur t’i ndani me të tjerë këto të dhëna”.

“Ishte informacion që njerëzit e kishin vënë në Facebook publikisht”.

Dhe këto justifikime mund të sinjalizojnë se si do të shkojë dëshmia që do të japë më 11 prill në Kongres Mark Zuckerberg, mbi keqpërdorimin e të dhënave të potencialisht 87 milionë përdoruesve nga kompania Cambridge Analytica.

“Në Shtetet e Bashkuara, një pjesë e madhe e aktivitetit në platformat dixhitale, përfshirë Facebook-un, por edhe ku blihen aplikacionet, çdo gjë funksionon në bazë të rregullave që kanë krijuar vetë këto kompani. Nuk është e qartë se çfarë masash kontrolli ekzistojnë për këtë aktivitet,” thotë Joseph Jerome, i Qendrës për Demokraci dhe Teknologji.

Dhe kjo do të thotë se kompanitë e teknologjisë paguajnë një çmim relativisht të vogël për sjelljen e tyre të keqe.

“Komisioni Federal i Tregtisë ishte në gjendje t’i vinte një gjobë Google-it, por gjoba ishte vetëm 20 milionë dollarë, një shumë që më duket se është rreth gjysma e të ardhurave të një dite të kompanisë. Pra, gjobat janë një humbje normale që ndodh kur bën biznes”.

Ai biznes ende përfshin transferimin e të dhënave të përdoruesve tek kompanitë që krijojnë aplikacione. Pavarësisht nga mungesa e transparencës, Sandberg i prezanton qëllimet e gjigandit të mediave sociale si fisnike.

“Ne besuam në një botë ku njerëzit mund të ndajnë dhe të përjetojnë gjërat së bashku, por nuk i menduam thellë rastet e keqpërdorimit” tha ajo.

Por kur të vijë e mërkura, atyre u duhet të mendojnë më shumë./TCH/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme