Google ADS

Në Durrës nis plazhi: Pushuesit shqetësohen nga taksa e shtëpisë, kosovarët nga ajo e rrugës

23:27 | 7 Prill 2018
Trina Galanxhi

Për shkak të temperaturave të qëndrueshme dhe motit me diell, bregdeti i Durrësit ka pasur fluks turistësh jo vetëm nga Tirana, por edhe Kosova. Për pushuesit kosovarë, kjo fundjavë pa pagesën e taksës për Rrugën e Kombit shijon edhe më shumë.

Ata shprehen se e duan Shqipërinë dhe bregdetin e saj, po taksa duhet të jetë më e arsyeshme.

“Jemi nga Peja dhe kemi ardhur për fundjavë. Durrësi është i bukur, po mirë është të mendohet për këtë taksën. Qeveria ka vënë taksë të lartë, e duhet të marrë masat për ta ulur taksën, ndryshe pushuesit do të ikin në vende të tjera. Të paktën 2.5 euro do të ishte OK”, tha një pushues nga Kosova.

“Rruga duhet të mirëmbahet, por duhet të caktohet një çmim i arsyeshëm e duhet të ketë një rrugë alternative. Mendoj se do të ndikojë negativisht për turizmin. E arsyeshme do të ishte 2-3 euro për kalim”, tha një tjetër pushues.

“Jam nga Mitrovica. Do të vijmë vetëm nëse nuk paguajmë taksa. Jo vetëm puna e pagesës, por dhe e vonesave që krijohen kur bëhet pagesa. Ndoshta mund të vendosin biletë një apo dyjavore”, tha një tjetër turist.

Aplikimi i taksës së pronës, që prek dhe shtëpitë e dyta në bregdet, duket se është më i përballueshëm, kur mendon për kënaqësinë që të dhuron plazhi.

“Kemi shtëpi që vijmë në fundjavë. Kur ndien kënaqësi për pronën, nuk ka problem”, thotë një qytetar.

“Jemi pensionistë dhe kemi punuar në emigracion. Është pak e rëndë taksa për shtëpinë e dytë për ne si pensionistë, por ama ia vlen të kesh një mundësi të jetosh mirë në pleqëri”, thotë një tjetër i moshuar.

Më të guximshmit kanë veshur rrobet e banjës, të tjerë shëtisin dhe luajnë përgjatë brezit të rërës.

“Ne mezi e presim fundjavën dhe mirëpresim diçka më të mirë”, thotë një pushues.

“Është mushkëria e qytetit tonë dhe mundohemi edhe ne ta mbajmë, po presim më shumë nga njerëzit që kanë përgjegjësi më të madhe”, thotë një tjetër pushues.

“Jemi nga Tirana. Kemi nisur të vijmë që më 17 shkurt fundjavave. Tani dola nga deti. Lluca e madhe, po uji shumë i mirë”, thotë një grua.

“Është një fundjavë shumë e bukur pranverore dhe po e kalojmë bashkë me fëmijët”, u shpreh një tjetër grua.

Durrësi ka fituar gjallërinë e shumëdëshiruar nga vendasit, që presin një sezon të mbarë turistik./TCH/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme