Hungaria do të zhvillojë të dielën zgjedhje parlamentare, ku pritet që partia aktuale në pushtet, Fidesz të dalë fituese. Kryeministri Viktor Orban e ka bërë qëndrimin e tij kundër imigracionit temë qendrore të fushatës, duke alarmuar Bashkimin Evropian, i cili e ka akuzuar Hungarinë se po vë në rrezik parimet e demokracisë.
Përkrahësit e Kryeministrit Orban e shohin atë si kështjellën e fundit që po mbron vizionin e tyre për identitetin evropian.
“Brukseli do ta përziejë popullatën e Evropës, do ta zëvendësojë kulturën tonë dhe mënyrën tonë të jetesës,” është shprehur kryeministri.
Qindra mijëra imigrantë hynë në Hungari në vitet 2015 dhe 2016, pjesa më e madhe e tyre me synimin për të kaluar në Evropën Perëndimore. Kjo dyndje u pengua nga barriera kufitare që ngriti qeveria e zotit Orban.
Bashkimi Evropian ka vendosur kuota me përqindje imigrantësh që pret të sistemohen nga çdo vend anëtar. Hungaria e ka refuzuar këtë politikë; Brukseli është përgjigjur me kërcënimin se do të marrë masa ligjore.
Kjo përplasje ka shtuar mbështetjen e hungarezëve për politikat nacionaliste të qeverisë.
“Ne hungarezët e konsiderojmë si vlerë kombëtare faktin që prej 1100 vjetësh jetojmë në Pellgun e Karpateve në pjesën qendrore të Evropës si një shoqëri homogjene hungareze, e krishterë,” tha ministri i jashtëm i Hungarisë.
Në listën e personave të akuzuar nga partia Fidesz për komplote kundër Hungarisë është miliarderi amerikan me orgjininë hungareze, George Soros. Ai i ka hedhur poshtë akuzat.
Opozita e akuzon zotin Orban se po vepron si diktator:
“Sot liria nuk është në rrezik nga fuqitë e huaja. Sot tirania nuk po vjen nga Lindja, as Perëndimi, por prej vendlindjes së Orbanit,” thotë një anëtar i Partisë Socialiste dhe të Dialogut.
Zgjedhjet e së dielës i komplikon një faktor i paqartë: Partia Jobbik, dikur me pikëpamje të ekstremit të djathtë, e cila tani i është afruar qendrës, duke tërhequr pas vete pensionistët me premtime për kujdes më të mirë shëndetësor.
Gjithashtu, ka shumë të rinj që nuk e gjejnë veten tek axhenda e Orbanit:
“Mendoj se qeveria nuk po lejon liri të mjaftueshme për mendim dhe unë nuk mund ta shoh të ardhmen time në këtë lloj mjedisi,” thotë kjo studente.
Bashkimi Evropian ka shprehur shqetësim për këto prirje largimi nga demokracia. Komisioneri i Lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut e ka përshkruar kryeministrin Orban, si “racist ksenofob”.
Por qëndrimi i tij i palëkundur kundër imigracionit dhe retorika e fortë i kanë dhënë Viktor Orbanit një përkrahje të qartë që pritet t’i sigurojë të dielën një mandat të ri qeverisës./VoA/
Sara dhuron spektakël, realizon vallëzim si dënim nga Xuxi
Akuzat e Pecit, Pacolli: Dikur mbante bluzën me emrin e firm...
A do ta ndaje ndonjërën prej banoreve nga partneri i saj bre...
Tare: Sjellja e futbollistëve të Kosovës tejet dinjitoze
Zarfi ngjyrë hiri shfaqet në ekran – banorët nisin hamendësi...
Papa ‘bekon’ lumturimin e 2 martirëve të krishterë në Shkodë...