I refuzojnë amendimin e ligjit që propozoi vetë, Majko largohet nga salla e Parlamentit

17:15 | 5 Prill 2018
Arbresh.info

Opozita kishte zbritur në rrugë dhe nuk ishte e pranishme në seancën plenare të kësaj të enjteje, por pakënaqësitë nuk munguan në Kuvend.

Deputetët votuan ligjin për diasporën, por vetë autori i këtij ligji nuk mori pjesë fare në votim. Pandeli Majko u largua nga salla e Kuvendit para votimit final të draftit.

Vendimi i Ministrit të Shtetit për Diasporën ishte shenjë pakënaqësie ndaj të tijëve për rrëzimin e një amendamenti.

Përpjekjet e Pandeli Majkos për një ndryshim të një neni të këtij ligji u kundërshtuan nga kolegët e tij socialistë.

Bëhej fjalë për një amendim të nenit 18, që hasi në kundërshtimin e Mimi Kodhelit dhe Taulant Ballës. Sipas kreut të Grupit Parlamentar socialist, Taulant Balla amendimi ishte jashtë afateve kohore.

Vetë Kryeministri Edi Rama abstenoi, ndërsa pas rrëzimit me karton, Majko u ngrit vrullshëm duke shtyrë karrigen e duke braktisur sallën e Parlamentit para përfundimit të votimit.

Ligji për Diasporën u miratua me 74 vota pro dhe vetëm një kundër, atë të Tom Doshit./Top Channel

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme