Google ADS

Pas luftës, në Kosovë u asgjësuan rreth 90 mijë mina

15:31 | 5 Prill 2018
Arbresh.info

Që nga viti 1999 në Kosovë janë pastruar 51,216, 184 metra katrorë dhe janë asgjësuar 88,895 mina dhe mjete eksplozive të pashpërthyera. Nga minat dhe mjetet tjera të pashpërthyera kanë humbur jetën 117 qytetarë si dhe kanë marrë lëndime të rënda 463 veta.

Kështu u tha me rastin e Shënimit të Ditës Ndërkombëtare të vetëdijesimit të rrezikut nga minat dhe mjetet e tjera të pashpërthyera. Në shënimin e kësaj dite morën pjesë shkolla ndërkombëtare e eliminimit të mjeteve të pashpërthyera (EOD) në Kosovë, MAT Kosova, HALO Trust dhe NPA. Shënimi i kësaj dite u organizua dje në Pejë.

Drejtori i Qendrës Koordinuese për Deminim në MFSK, Ahmet Sallova, theksoi rrezikun e vazhdueshëm që ekziston nga minat dhe mjetet tjera të pashpërthyera në nivelin global dhe Kosovë.

“Zonat e minuara nuk përbëjnë rrezik vetëm për jetën e banorëve, por vështirësojnë edhe gjendjen ekonomike, për shkak të pamundësisë qoftë për punimin e tokave bujqësore apo edhe për mos shfrytëzimin e zonave malore. Prandaj, evitimi i rrezikut nga minat dhe mjetet tjera eksploziveve është një parakusht për rindërtimin e vendit dhe shfrytëzimin e resurseve natyrore dhe ekonomike”, tha ai.

Sallova foli edhe për sukseset e ekipeve të deminimit të FSK-së dhe bashkëpunimin me organizatat tjera ndërkombëtare si: HALO Trust dhe NPA, të cilat janë duke krijuar një mjedis të sigurt në fushat e rrezikuara, duke mundësuar zhvillimin e jetës normale në Kosovë.

“Edhe përkundër pastrimit të shumë fushave të rrezikshme të minuara në Kosovë kanë mbetur edhe 98 zona të afektuara nga minat apo bombat kasetore”, tha ai.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme