Shtyhet për nesër mbledhja e Kryesisë, shkak mungesa e kuorumit

10:28 | 5 Prill 2018
Arbresh.info

Mbledhja e Kryesisë së Kuvendit që ishte paraparë të mbahej sot në ora 10:00 është shtyrë për ditën e nesërme në të njëjtën kohë.

Shkak për shtyrje është bërë mungesa e kuorumit, raporton Arbresh.info.

Në mbledhje nuk kanë qenë të pranishëm kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli dhe Avdullah Hoti e Kujtim Shala nga LDK-ja.

Në këtë mbledhje pritej të shqyrtohen tri kërkesat për interpelancë të kryeministrit Ramush Haradinaj.

Interpelanca e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, z. Ramush Haradinaj, sipas kërkesës së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, në lidhje me reduktimet e ashpra të furnizimit me energji elektrike dhe situatën  në sektorin e energjisë,

Interpelanca e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, z. Ramush Haradinaj, sipas kërkesës së Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, në lidhje me vendimin e Qeverisë së Kosovës nr.02/34, të datës 05.03.2018, për ndarjen e mjeteve financiare në shumën prej një milion euro për KOSTT-in për mbulimin e shpenzimeve të furnizimit me energji elektrike të katër komunave në veri të Kosovës.

Interpelanca e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, z. Ramush Haradinaj, sipas kërkesës së Grupi Parlamentar “Deputetët e Pavarur”, në lidhje me nënshkrimin e marrëveshjes komerciale ndërmjet kompanisë “Contour Global” dhe Qeverisë së Kosovës për projektin e Termocentralit “Kosova e Re” të nënshkruar me 20 dhjetor 2017./Arbresh.info

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme