Kërkesat e deputetëve për shkarkimin e presidentit Hashim Thaçi nuk do të mbeten vetëm “lojë fjalësh”. Ata kanë nisur një proces konkret, i cili do të ketë vetëm një qëllim: rrëzimin e Thaçit nga pushteti.
Deputetët kanë inicuar formimin e një Komisioni Hetimor, i cili do të mbledhë fakte për shkeljet e Kushtetutës nga presidenti.
Disa deputetë të Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike, folën dje për urgjencën e rrëzimit nga pushteti të presidentit Hashim Thaçi.
Glauk Konjufca u shpreh se do të inicohet në Kuvend shkarkimi i presidentit Thaçi, ndërsa Driton Selmanaj deklaroi se “Thaçi duhet të shkarkohet”, duke arsyetuar se “ai është shndërruar në kërcënuesin më të madh të stabilitetit të vendit”.
Deklaratat e deputetëve nuk paraqesin vetëm retorikë politike, pasi për rrëzimin nga pushteti të presidentit Thaçi do të nis një proces, i cili do të inicohet nga Komisioni Hetimor i Kuvendit të Kosovës.
Këtë plan e kanë shpalosur për Insajderin, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, deputetja e Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), njëkohësisht liderja e Alternativës, Mimoza Kusari dhe deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj.
Kusari-Lila i tha Insajderit se shkarkimi i Thaçit tashmë “është në proces”.
“Procedura e mbledhjes së fakteve dhe argumenteve për shkeljet e tij kushtetuese vetëm se është në proces dhe diskutim publik. Në momentin e mbledhjes dhe përgaditjes së fakteve nga Komisioni Hetimor i Parlamentit të Kosovës, ato do të dorëzohen në Gjykatën Kushtetuese”, ka thënë Kusari-lila për Insajderin.
Ajo ka thënë se Thaçi shkeli Kushtetutën e Republikës së Kosovës, në rastin e deportimit të gjashtë shtetasve turq nga Kosova në Turqi, të enjtën e kaluar.
“Në shkeljet Kushtetuese lidhur me veprimin e tij në rastin e deportimit të 6 shtetasve turq. Komisioni Hetimor Parlamentar do të mbledhë fakte për këto shkelje”, ka thënë deputetja e Alternativës, brenda Grupit Parlamentar të LDK-së.
Ndërkaq, në një deklaratë dhënë Insajderit, deputeti Driton Selmanaj ka thënë se shpreson që Komisioni Hetimor – i cili pritet të formohet – të gjejë fakte të përfshirjes së Hashim Thaçit në procesin kundër-kushtetues të arrestimit dhe deportimit të gjashtë shtetasve turq.
“Rezuluta që është formuar, tashmë besoj që veçse ka kaluar”, ka thënë Selmanaj, teksa ka folur për rezolutën që Grupi Parlamentar i LDK-së e ka vendosur sot në votim në Kuvendin e Kosovës. “Pritet vetëm themelimi i Komisionit.”
Selmanaj shpreh besim se Komisioni Hetimor i Kuvendit do të nxjerr fakte të mjaftueshme që do dëshmonin shkeljet kushtetuese të presidentit.
“Besojmë që Komisioni Hetimor Parlamentar do të nxjerr fakte të mëdha që presidenti Thaci ka qenë i involvuar në rastin e arrestimit të Gylenistëve”, i ka thënë Selmanaj, Insajderit.
Deputeti nga Prizreni ka thënë se ekzistojnë fakte për përfshirjen e presidentit Thaçi në procesin e deportimit të shtetasve turq në Turqi.
Lëvizja Vetëvendosje synon rrëzimin e Thaçit përmes protestave
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi ka thënë për Insajderi se “ashtu si ka ardhur në këtë pozitë, ashtu do rrëzohet”.
Ai thotë se për një gjë të tillë nuk mund t’i ndalë as “dhuna policore e as ndonjë presion tjetër”
“Me protesta ka ardhur në pushtet me protesta do rrëzohet. Me protesta është kundërshtuar emërimi i tij me protesta do të arrihet shkarkimi i tij. Ne gjithmonë kemi besuar dhe vazhdojmë të besojmë në atë që e shtyjmë përpara. Besimin tonë nuk mund ta shkel as dhuna policore, e as kurrfarë santazhi. Prandaj ne besojmë dhe ia arrijmë”, ka thënë Selimi.
Deputeti i opozitës i ofron mbështetje opozitës për shkarkimin e Thaçit
Për shefin e deputetëve të Nismës Socialdemokrate, shkarkimi i presidentit Thaçi është i pamundur.
Kjo për shkak se siç tha ai për Insajderi, Kushtetuta e Kosovës, e mbron jashtzakonisht shumë pozitën e presidentit. Një mbrojtje e tillë për të është fatkeqësi për vendin.
“Kushtetuta e mbron shumë postin e presidentit. Nuk ka mundësi tash për tash për shkarkimin e tij, fatkeqsisht. Ai duhet të shkel rëndë Kushtetutën, e nesë konstatohen një shkelje e tillë, atëherë nëse ai nuk jep dorëheqje, na jepet rasti neve deputetëve për rrëzimin e tij. Prandaj, tani për tani shkarkimi i tij është i pamundur. Edhe një herë po e përsëris, fatkeqësisht është i pamundur”, ka thënë Sherifi.
Sherifi u shpreh se nëse do të nevojitet nënshkrimi i tij për inicimin e shkarkimit të Hashim Thaçit, ai do të jetë i gatshëm që të japë votën pro.
“Unë në emër tim personal, po flas, që nëse ndonjë herë vjen puna kur do të duhet nënshkrimi i deputetëve për rrëzimin e tij, kushdo që e nisë një iniciativë të tillë për shkarkimin e Thaçit, do ta ketë përkrahjen time”, tha Sherifi.
Tri mënyrat për rrëzimin nga pushteti të presidentit Thaçi
Sipas Kushtetutës së Kosovës, ekzistojnë tri mënyra për shkarkimin e presidentit të vendit. Të gjitha këto mënyra kalojnë përmes Kuvendit të Kosovës.
Mënyra e parë është nëse presidenti është i dënuar për kryerje të krimeve të rëndë, ndërsa tjetra është nëse ai nuk është i aftë për t’i ushtruar përgjegjësitë e tij në këtë post, për shkak të ndonjë sëmundje të rënd si dhe nëse ai ka bërë shkelje të rënd të Kushtetutës.
“Presidenti i Republikës së Kosovës mund të shkarkohet nga Kuvendi nëse ai/ajo është dënuar për kryerjen e krimit të rëndë ose nëse ajo/ai nuk është i/e aftë për të ushtruar përgjegjësitë e këtij posti për shkak të sëmundjes së rëndë ose nëse Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar se ajo/ai ka bërë shkelje të rëndë të Kushtetutës”, thuhet në Kushtetutë.
Më tej sqarohet se shkarkimi i presidentit të vendit duhet të iniciohet nga një e treta e deputetëve të Kuvendit. Ata duhet të nënshkruajnë një peticion ku edhe shpjegohen arsyet për shkarkim.
Në rast se pretendohet se presidenti ka bërë shkelje të Kushtetutës, peticioni i dorëzohet Gjykatës Kushtetuese e cila vendosë dhe më pas Kuvendi mund ta shkarkojë me dy të tretat e votave të deputetëve.
“Procedura për shkarkimin e Presidentit të Republikës së Kosovës mund të iniciohet nga një e treta (1/3) e deputetëve të Kuvendit, të cilët nënshkruajnë një peticion, i cili shpjegon arsyet për shkarkim. Në rast se peticioni supozon sëmundjen e rëndë, Kuvendi do të kërkojë mendimin e konsiliumit mjekësor për gjendjen shëndetësore të Presidentit.”
“Në rast se peticioni supozon ndonjë shkelje të rëndë të Kushtetutës, peticioni duhet t’i dorëzohet menjëherë Gjykatës Kushtetuese, e cila vendosë për këtë çështje brenda shtatë (7) ditësh nga marrja e peticionit”, potencohet në Nenin 91 të Kushtetutës.
Më tej, në këtë nen të Gjykatës Kushtetuese thuhet se “nëse Presidenti i Republikës së Kosovës është dënuar për ndonjë krim të rëndë ose kur nëse Kuvendi, në pajtim me këtë nen, konstaton që Presidenti nuk është i aftë të ushtrojë – 35 – përgjegjësitë e tij/saj për shkak të sëmundjes së rëndë ose nëse Gjykata Kushtetuese konstaton se ajo/ai ka bërë shkelje të rëndë të Kushtetutës, Kuvendi mund të shkarkojë Presidentin me dy të tretat (2/3) e votave të të gjithë deputetëve të tij”.
Ana dhe Kevini nuk e dinë kush e ka shpallur Pavarësinë e Ko...
Ruben Amorim merr vendimin e parë – bllokon largimin e yllit...
Mike Johnson: Programi i Trump-it nuk përfshin dëbimin e emi...
Gjesti dhe Xheneta sqarohen, diskutojnë gjerë e gjatë
Një qytetar nga Podujeva dorëzon në polici para të gjetura
Dita Botërore e foshnjeve të lindura para kohe – Një p...