Google ADS

Kuvendi miraton rezolutën nga debati për deportimin e gjashtë shtetasëve turq

20:49 | 4 Prill 2018
Arbresh.info

Pas debatit disa orësh rreth deportimit të gjashtë shtetasve turq, Kuvendi i Kosovës ka miratuar rezolutën e propozuar nga shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti dhe i përkrahur nga të gjithë shefat e grupeve parlamentare.

Në bazë të kësaj rezolute, Kuvendi do të formon një komision hetimor që do të bëjë hetimin e kësaj çështje.

Deputetët me 60 vota për, një abstenim dhe asnjë kundër miratuan rekomandimet e propozuara.

“E para, formimi i Komisionit hetimor parlamentar për ndriçimin e rastit të dëbimit të gjashtë shtetasve turq me datën 29 mars 2018. E dyta, kërkohet nga grupet parlamentare që brenda tre ditësh të dërgojnë në kryesinë e Kuvendit emrat e përfaqësuesve të tyre në këtë komision. E treta, në funksion të zgjidhjes së plotë të kësaj çështje, Kuvendi obligon të gjitha institucionet relevante që lidhen me çështjen në fjalë t’i përgjigjen komisionit hetimor dhe e katërta, Kuvendi mandaton Komisionin hetimor të shqyrtoj përputhshmërinë e procedurave të ndjekura, në bazë të Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi”, tha Hoti.

Kryesuesi i Kuvendit Xhavit Haliti në fund tha se nesër do të mbajnë mbledhje të kryesisë së Kuvendit në ora 10:00.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme