Sindikata e Arsimit vazhdon të kërkojë nga Qeveria e Kosovës që të procedojë për në Kuvend Ligjin për Punëtorët e Arsimit të viteve të ‘90-ta, ose greva e paralajmëruar për 13 prill do të jetë pa afat.
Nëse greva fillon, përgatitjet për testet e fundvitit dhe atë PISA, do të stopohen dhe do të ketë pasoja, thonë përfaqësuesit e Sindikatës, ndërsa Qeveria ka kërkuar mirëkuptim, pasi ky ligj ka implikime buxhetore.
Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Rrahman Jasharaj, po shpreson që gjatë këtyre ditëve Qeveria e Kosovës të dërgojë në Kuvend Ligjin për Punëtorët e Arsimit të viteve të ‘90-ta, për të mos hyrë në grevë ashtu siç është paralajmëruar. Ai tha për Radio Kosovën, se po presin të kenë ndonjë takim me kryeministrin, në mënyrë që të gjejnë zgjidhje sa më shpejt për kërkesën e tyre, ose greva e mësimdhënësve do të fillojë më 13 prill dhe nuk do të ndërpritet deri sa të shkojë Ligji në Kuvend.
“Ne po shohim se marsi iku dhe nuk ka ndonjë takim më konkret. E keqja është se ditët po ikin shpejt, po afrohet 13 prilli dhe unë jam i obliguar që të shpallë grevë në kohë të pacaktuar deri sa nuk realizohen kërkesat e SBASHK-ut”, tha Jasharaj
Jasharaj tha se nuk pranojnë më premtime, por Ligji duhet të shkojë në Kuvend para datës 13 prill.
“Ne kërkojmë nga Qeveria që para datës 12, sepse më 13 prill do të jemi në grevë, të votojë në Qeveri Ligjin dhe të kemi një dokument zyrtar se Ligji u nis për në Kuvend. Në këtë mënyrë hiqet barra edhe nga ne edhe nga ata”, tha Jasharaj.
Në rast se greva do të fillojë më 13 prill, Jasharaj tha se përgatitjet për testin PISA, për maturën dhe testin e arritshmërisë, do të stopohen dhe mund të ketë pasoja të mëdha. Për këtë, ai e bën përgjegjës Qeverinë e Kosovës.
“Unë po them i bindur plotësisht se ata po deshën brenda një dite mund ta realizojnë kërkesën sublime për vitet ’90-ta”, tha Jasharaj.
Ndërkohë, zëdhënësja e Qeverisë, Donjeta Gashi, tha për Radio Kosovën se është duke u punuar në këtë drejtim, pasi ky Ligj ka implikime buxhetore. Ajo tha se Kryeministri Haradinaj, ka kërkuar mirëkuptim nga Sindikata, sepse kërkon kohë për tu realizuar.
“Është çështje ende në proces. Kryeministri Haradinaj në shumë raste, por edhe në takime me përfaqësues të SBASHK-ut, ka deklaruar se realizimi i këtij premtimi është obligim moral dhe nuk ka nevojë për greva dhe ultimatume. Ky është një obligim moral që Qeveria do ta mbajë, por kërkon kohë, dhe për këtë është kërkuar mirëkuptim nga ana e SBASHK-ut”, ka thënë Gashi.
Ministria e Financave, pati sqaruar kohë më parë se nuk ka buxhet për zbatimin e Ligjit për mësimdhënësit e viteve të ‘90-ta. Përfituesit e këtij Ligji janë mësimdhënësit e viteve ’90-ta, ku mbi 60% e tyre janë ende duke punuar në procesin mësimor.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte do të vizitojë...
Driloni-Edit: Nëse e fitoj çmimin, e ndaj me ty
Suhareka dhe Ferizaj kërkojnë të rikthehen te fitoret, forma...
Xheneta-Arionit: Të mëson Edi me qenë burrë
LVV i kërkon Përparim Ramës anulimin e tenderit për menaxhim...
Mbjellja e ullirit në Lushnjë, në 2024 u mbollën 9500 fidanë...