Ndotja e ajrit? Në Paris diskutohet për transport publik falas

01:05 | 4 Prill 2018
Trina Galanxhi

Kryebashkiakja e Parisit kërkon ta bëjë transportin publik falas në një përpjekje për të ulur ndotjen e ajrit, por përballet me një opozitë të fortë nga drejtuesja e autoritetit rajonal të transportit, e cila tha se një lëvizje e tillë do t’u rëndonte taksapaguesve.

Të hënën, kryebashkiakja socialiste Anne Hidalgo bëri të ditur planet për mundësinë e transportit publik falas në mbarë qytetin dhe i tha të përditshmes franceze “Les Echos” se donte ta diskutonte çështjen para zgjedhjeve bashkiake të vitit 2020.

Hidalgo tha se qytetet e mëdha të botës po përpiqeshin të zhvillonin një sistem qarkullimi të pastër dhe të përmirësonin cilësinë e ajrit, duke ulur numrin e makinave nëpër rrugë, një qëllim për të cilin duhet që transporti publik të bëhet më tërheqës.

“Për të përmirësuar transportin publik, nuk duhet vetëm që ne ta zgjerojmë atë, ta bëjmë më të rregullt dhe më të rehatshëm, ne duhet gjithashtu të mendojmë të rishikojmë sistemin e tarifave”, tha ajo në një deklaratë.

Por politikania konservatore Valerie Pecresse, e cila është kryetarja e këshillit rajonal të Ile-de-France (ku bën pjesë edhe Parisi) si edhe kryetarja e autoritetit të transportit të zonës (IDFM), e hodhi poshtë propozimin e Hidalgo-s, duke thënë se nëse udhëtarët nuk do të paguanin, atëherë do t’u duhej taksapaguesve të paguanin.

“Sot, përparësia jonë është modernizojmë transportin. Shitjet e biletave sjellin 3 miliardë euro në vit. Na duhen këto para”, tha Pecresse për “Radio Classique”.

Pecresse, e cila mund ta sfidojë Hidalgo-n në zgjedhjet për kryetar të bashkisë së Parisit, tha se do të ishte e padrejtë për ta bërë transportin falas për Parizienët por jo për njerëzit që jetojnë në periferi.

Hidalgo nuk e saktësoi nëse propozimi i saj do të prektë thjesht 2.2 milionë banorët e Parisit apo 12 milionë banorët që jetojnë në qytet dhe në rajonin Ile-de-France.

Një studim i vitit 2015 nga Eurostat tregoi se Parisi ka një nga nivelet më të larta të përdorimit të transportit publik në Evropë, me më shumë se 60% e njerëzve që përdorin metronë, autobusët dhe sistemin e trenave. Në të njëjtën kohë pak më shumë se 25% e popullsisë thanë se përdorin makinat e tyre për të lëvizur rregullisht për në punë.

IDFM ka një buxhet vjetor prej 10 miliardë euro, nga i cili më pak se një e treta vjen nga tarifat e pasagjerëve dhe pjesa tjetër vjen nga taksa, duke përfshire edhe një 72% nga një taksë transporti, që paguhet nga të gjitha firmat që punësojnë një staf prej më shumë se 9 veta.

Disa qytete të vogla franceze tashmë kanë një shërbim transporti falas me autobusë.

Hidalgo iu referua planeve gjermane për transport publik falas dhe tha se disa qytete evropiane kanë transport falas, veçanërisht kryeqyteti i Estonisë, Talini.

Qeveria gjermane është duke marrë në konsideratë plane për ta bërë transportin publik falas në qytete, që vuajnë nga mungesa e cilësisë së ajrit. Ajo kërkon ta testojë këtë në pesë qytete, duke përfshirë Bonin dhe Esenin.

Hidalgo ka ndërmarrë një sërë masash për të ulur ndotjen urbane, duke përfshirë kthimin e autostradave për gjatë lumit të Senës në parqe publike dhe duke ndërtuar më shumë korsi biçikletash. Në vitin 2020, Parisi planifikon të ndalojë të gjitha makinat me naftë dhe diezel që të kalojnë në qendrën e qytetit.

Në vitet e fundit, Parisi ka vendosur disa kufizime të lëvizjes bazuar mbi targën e makinës, për të hequr nga rrugët deri në gjysmën e makinave kur nivelet e ndotjes janë më të lartat.

Vitin e kaluar u vendos një sistem taksimi, sipas të cilit të gjitha makinat duhet të kenë një ngjitëse me ngjyra të ndryshme, që tregonin moshën dhe nivelin e ndotjes së makinës. Në këtë mënyrë mund të vendoseshin ndalime më selektive të lëvizjes./Balkanweb/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme