Mësimdhënësit e shkollave në Kosovë nuk kanë hequr dorë nga greva në arsim. Nëse gjatë kësaj jave ku nxënësit janë në pushim pranveror, nuk plotësohen kërkesat e tyre, atëherë ata do të fillojnë grevën me 13 prill.
Kështu ka bërë të ditur për Indeksonline, Rrahman Jashari kryetar i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK).
Ai ka shtuar se po bëjnë përpjekje që gjatë kësaj jave të plotësojnë kërkesat e tyre, përndryshe ata janë të detyruar të vazhdojnë grevën pas pushimit të nxënësve.
“Në këtë javë, do të kemi takime me kryeministrin dhe të tjerët, në mënyrë që këto ditë që kanë mbetur të kemi takime serioze dhe mbase kërkesa jonë kryesore që ka të bëjë me projektligjin për statusin e mësimdhënësve të viteve të 90-ta, Qeveria t’i jep dritën e gjelbër dhe të shkoj në Parlamentin e Kosovës. Nga ana e tjetër, është duke u bërë punë rreth kërkesave të mësimdhënësve, si ligji i pagave, ligji i punës dhe janë formuar komisione ku na kanë ftuar edhe neve që të jemi pjesë e tyre. Por, pika kyçe është, projektligji për statusin e punëtorëve të arsimit të viteve të 90-ta dhe po them nëse gjatë këtyre ditëve nuk ndryshon diçka, ne do të jemi në pozicionin e mëparshëm, do të vazhdojmë grevën më 13 prill pas pushimit të nxënësve. Ky vendim është i mësimdhënësve që është marr në kongresin e arsimit me 24 shkurt, diçka obligative që duhet të respektohet”, ka thënë Jashari.
Ai ka shtuar se kjo grevë nuk dihet sa do të zgjasë, pasi varet nga koha e plotësimit të kërkesave të tyre.
“Ne i kemi dërguar letër zyrtare kryeministrit, zëvendëskryeministrit, ministrit Bytyqi, i kemi lajmëruar se nëse këto ditë nuk ka zgjidhje për ligjin për statusin e viteve të 90-ta, atëherë ne nuk kemi zgjedhje tjetër pos grevës. Greva fillon me 13 prill dhe do të jetë grevë me afat të pacaktuar deri sa të përfillen kërkesat tona”, ka shtuar ai.
Në anën tjetër, Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi për Indeksonline ka thënë se nuk duhet të ketë vend për grevë, sepse qeveria është duke bërë përpjekje për zgjidhje të kërkesave të tyre.
“Ne kemi qenë në vazhdimësi në kontakt me SBASHK-un edhe ata janë të bindur për vullnetin tonë për gjetjen e zgjidhjes. Ne si Ministri tashmë i kemi përfunduar obligimet tona. Konsideroj se derisa edhe vetë qeveria është duke bërë përpjekje për zgjidhje dhe nuk do të duhet të ketë vend për greva, e aq më shumë në këtë fazë të rëndësishme të testeve dhe mbylljes së vitit shkollor”, ka thënë ministri Bytyqi.
Ndryshe, në fund të këtij muajit, pritet që nxënësit e shkollave të mesme t’i nënshtrohen Testit Ndërkombëtar për Vlerësimin e Nxënësve (PISA).
Në testin e fundit, nxënësit e shkollave të mesme të Kosovës u ranguan në vendin e tretë nga fundi.
Prizreni siguron 2030 metra dru e 1520 tonë pelet për ngrohj...
Berisha i drejtohet shqiptarëve në Londër: Keni rol përcaktu...
Anglia merr fitore të thellë ndaj Irlandës dhe rikthehet në ...
Kurti: Doracakët asnjëherë nuk kanë qenë kurrikulë e as teks...
‘Termokos’: 17.500 konsumatorë me pajisje matëse për ngrohje
Eksperti gjerman bën një propozim radikal: Burrat patentë-sh...