Ivan Stamboliq e solli kryekriminelin serb Sllobodan Millosheviq në politikën e lartë në vitin 1986, duke u bë kryetar i Serbisë, por 14 vjet më vonë kjo miqësi i kushtoi me jetë. Stamboliq u vra më 25 gusht 2000, në Frushka Gora dhe u hodh në gropën e mbushur me gëlqere të gjallë, ndërsa kërkimet zgjatën për tri vjet dhe të gjithë menduan se ai në fshehtësi kishte ikur nga vendi.
Pasi gjetën trupin e tij, kah fundi i marsit 2003, u kryen hetime në detaje, dhe rruga përmes njësisë famëkeqe speciale serbe dhe shefit të tyre Millorad Ulemek Legia, çoi deri te ish-presidenti Millosheviq dhe gruaja e tij, Mira Markoviq.
Të dy kishin motiv për ta hequr qafesh Stamboliqin, edhe pse Millosheviq ishte mik i tij që nga ditët studentore.
Ata të dy studiuan juridikun, ndërsa i pari në politikë hyri Stamboliq në vitin 1982, i cili ishte dy vjet kryetar i Komitetit të qytetit dhe në këtë post në vitin 1984 e pasoi Millosheviqi.
Përfundimisht, në vitin 1986 Stamboliq u bë njeriu i parë në Serbi dhe atëherë nisën mos pajtimet me Millosheviqin, i cili në Kosovë mbajti fjalimin provokues ndaj shqiptarëve, duke paralajmëruar kështu fillimin e fushatës, e cila përfundoi me disfatën e Serbisë në vitin 1999.
Stamboliq ishte për zgjidhjen paqësore të problemit të Kosovës, por ai humbi fuqinë pasi rryma e kryekriminelit Millosheviq fitoi në Lidhjen e Komunistëve. Kjo ndodhi në mbledhjen e mbajtur më 23 dhe 24 shtator 1987, kur i trimëruar nga zhvillimi i ngjarjeve, Millosheviq kritikoi ashpër para kamerave mikun dhe mentorin e tij të deriatëhershëm.
Shumica pajtohen se kjo mbledhje ishte hyrje në rënien e Jugosllavisë dhe fillimin e luftës në Slloveni, Kroaci, Bosnjë dhe Kosovë.
Pas shkarkimit, Stamboliq u tërhoq nga jeta politike dhe gjashtë muaj më vonë nën rrethana të dyshimta, në prill 1988, në një aksident trafiku jo larg Budvës, humbi jetën vajza e tij 24-vjeçare, Bojana.
Gjatë 13 vjetëve tjera, Stamboliq nuk mori pjesë në politikë dhe jetën shoqërore të Serbisë, deri në vitin 2000, kur u bë e qartë se era e Millosheviqit po merrte fund dhe se ai do të pësonte humbje në zgjedhjet e shtatorit.
Kandidati i vetëm më serioz kundër Millosheviq, ishte pikërisht Stamboliq.
Por, një muaj para zgjedhjeve që do të mbaheshin më 24 shtator, në 13 vjetorin e mbledhjes së tetë të Lidhjes Komuniste, Stamboliq u vra. Më 25 gusht 2000 ai kishte dalë të shëtisë në rroba sportive në Topçider. Kjo ishte edhe hera e fundit kur ai edhe u pa. Gjatë tri vjetëve të ardhshme flitej se kishte ikur jashtë vendit.
Më vonë mediat raportuan se disa ditë para zhdukjes, para shtëpisë së tij vazhdimisht kalonte një furgon i markës ‘VW’. Stamboliq për herë të fundit u pa në platonë para restorantit ‘Golf’ në Koshutnjak. Roja e restorantit tha se ka vërejtur kur pranë tij ka kaluar një ‘VW’ i ri me ngjyrë të bardhë. Menjëherë pas kësaj, Stamboliqit i humbi çdo gjurmë.
Pavarësisht se kishte dëshmitarë, hetimet nuk përparuan, dhe nuk u gjet asnjë dëshmi, as sulmuesi, as automjeti dhe as vetë Stamboliq.
Për fatin e tij nuk dihej gjë për tri vjet. Hetimet e kryera në vitin 2003, pas vrasjes së kryeministrit serb Zoran Xhinxhiq nisën të qesin në shesh fakte të reja tronditëse se Stamboliq ishte vrarë.
Për herë të parë për këtë foli Nenad Share, ish-shefi i truprojave të Legisë. Ai zbuloi detajet e rrëmbimit dhe likuidimin e Stamboliq dhe akuzoi për këtë Leginë, ish-pjesëtar i “Tigrave” të Arkanit.
Nenad Share tregoi se Stamboliq ishte dërguar me furgon në Frushka Gorë. Aty e kishin detyruar të gjunjëzohej para një grope, të cilën e kishin mbushur me gëlqere të gjallë dhe pastaj e kishin ekzekutuar me një plumb në qafë.
Sipas pohimeve të dëshmitarëve, hetuesit gjetën mbetjet mortore të Stamboliqit dhe e identifikuan në bazë të atleteve të nxjerra na gropa.
Përveç Millosheviqit, motiv të mundshëm për vrasjen e tij kishte pasur edhe Mira Markoviq, gruaja e Millosheviqit. Ajo kishte mbetur pa nënë e saj Vera Miletiq kur ishte dy- vjeç. Vera Miletiq, komuniste e bindur, u arrestua nga agjentët e policisë speciale në një banesë në Beograd në vitin 1943. Ajo u dërgua në një kamp, ku u torturua dhe u vra, por pas kësaj ajo u akuzua nga partia e saj për tradhti.
Vera kishte dokumente sekrete, të cilat dështoi t’i fshehë dhe këtë partia nuk ia fali. Në Kongresin e pestë Partisë Komuniste të Jugosllavisë në vitin 1948, ajo u quajt tradhtare.
Mira Millosheviq që nga ajo kohë ishte e inatosur me Stamboliqin, pasi xhaxhai i tij, Petar Stamboliq ishte personi që ishte dashur të marrë dokumentacionin e Vera Miletiqit, por ai nuk e kishte bërë këtë pasi ishte i plagosur. Përveç kësaj, ka mendime se vrasja e Ivan Stamboliqit ishte hakmarrje e përbashkët e bashkëshortëve famëkeq Millosheviq.
Lexo më shumë në: http://www.gazetaexpress.com/lajme/historia-e-ivan-stamboliq-it-qe-u-gjet-i-vrare-ne-vitin-2003-millosheviq-vrau-shokun-e-ngushte-dhe-e-hodhi-ne-gelqere-519020/?utm_source=referral&utm_medium=web&utm_campaign=copyright
Osmani bashkë me Hovenierin dhe ushtarët në kampin Bondsteel...
Çiftet e rrethit të parë të Kupës së Kosovës, lehtë për favo...
Trafiku Urban thotë se janë eliminuar paqartësitë rreth proc...
Kurti vendos edhe gurthemelin e fundit në Podujevë, kësaj ra...
Kumbaro nderon kontributin e gjithë krahinës së Gjirokastrës...
Aprovohet struktura e tarifave të energjisë termike për sezo...