Pas arrestimit nga Policia e Kosovës të 6 shtetasve turq, dhe dëbimit të tyre për në Turqi, veprim ky për të cilin tre krerët më të lartë të shtetit, presidenti, kryeministri dhe kryetari i Kuvendit, dolën me komunikata, duke konfirmuar se nuk ishin në njohuri për këtë operacion, partitë opozitare në Kuvendin e Kosovës po kërkojnë raportim rreth këtij veprimi nga njerëzit përgjegjës.
Udhëheqësit e institucioneve qendrore në Kosovë kanë pranuar se deportimi i gjashtë shtetasve turq nga Kosova – pesë nga ta punonjës të Institucionit Arsimor Gulistan, pronë e klerikut turk Fethullah Gulen, si dhe një mjek turk në Kosovë – ka qenë gabim.
Për këtë, Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës me mbështetjen e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes dhe Grupit të Deputetëve të Pavarur, kanë filluar procedurat për thirrjen e seancës së jashtëzakonshme për këtë rast.
Seanca e jashtëzakonshme është thirrur për të martën për, siç thuhet “shkeljen e Kushtetutes dhe Ligjeve të Kosovës lidhur me deportimin e shtetasëve turq”.
Ilir Deda, deputeti opozitar i Kuvendit të Kosovës nga Alternativa, e cila është pjesë e koalicionit me Lidhjen Demokratike të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë, se seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit, duhet të ketë rezultat krijimin e Komisionit hetimor parlamentar për rastin e gjashtë shtetasve turq.
“Rezultat i kësaj seance duhet të jetë pajtimi i të gjitha partive politike që të krijohet një Komisioni hetimor parlamentar, që në mënyrë institucionale i identifikon shkelësit e Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës”, thotë Deda.
Nisma Socialdemokrate kërkon hetim parlamentar për këtë çështje, pasi, sipas kësaj partie, “transparenca e plotë dhe përgjegjësia e të gjithë njerëzve të përfshirë në këtë veprim, është minimumi i asaj që duhet të bëhet urgjentisht”
Udhëheqësit më të lartë të Kosovës kanë thënë të shtunën se kanë urdhëruar hetime gjithëpërfshirëse në të gjitha institucionet e përfshira në operacionin e arrestimit dhe deportimit të gjashtë shtetasve turq.
Kryeministri I Kosovës Ramush Haradinaj, i cili ka thënë se nuk ka qenë fare i informuar për veprimet e institucioneve të sigurisë për aksionin e dëbimit dhe më pas ka premtuar se veprime të tilla më nuk guxojnë të përsëriten, ka kërkuar hetim si nga AKI-ja, ashtu edhe nga institucionet tjera përgjegjëse.
Kam kërkuar nga institucionet përgjegjëse për zhvillimet rreth ndalimit, revokimit të lejeve qëndrimit dhe deportimit të shpejtë dhe të fshehtë të gjashtë shtetasve turq.
Ndërsa, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, të shtunën ka thënë s e rasti po hetohet nga organet kompetente. Madje, ai ka thënë se posedon një raport të detajuar ngaAgjencia e Inteligjencës së Kosovës (AKI), ku thuhet se arsyeja e deportimit të gjashtë shtetasve turq ka të bëjë me veprime të paligjshme në Kosovë.
Edhe Avokati i Popullit, për këtë rast ka vendosur të hapë rast Ex Officio, për të hetuar në detaje veprimet e ndërmarra nga autoritetet publike.
Aksioni i deportimit të gjashtë shtetaseve turq, që u ndërmor më 28 mars u raportua si një veprim i përbashkët i shërbimeve inteligjente të Turqisë dhe Kosovës.
Pas dëbimit të tyre, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, kishte liruar nga detyra (që nënkuptonte shkarkimin) ministriin e Brendshëm, Flamur Sefaj, dhe drejtorin e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Driton Gashi.
Bislimi e Petkoviq takohen në dhjetor, Lajçak: Pres me padur...
E ardhmja e NATO-s dhe qëndrimet e zotit Trump
Gary Neville zbulon se si drejtuesit e Man Cityt e bindën Gu...
“Shqetësimi i Sarës ishte fake”, Xheneta tregohet e ashpër
Abdixhiku nga Malisheva: Më 9 shkurt do ta sjellim bashkë nd...
WhatsApp po prezanton një tjetër veçori të dobishme për përd...