Ish-ambasadori i Kosovës në Suedi dhe Serbi Lulzim Peci konsideron se, para se të shkarkoheshin ministri i Brendshëm dhe drejtori i AKI-së, do të duhej të kryheshin hetime, përfshirë edhe rolin e krerëve të shtetit në dëbimin e gjashtë qytetarëve turq. Peci thotë se askush nuk mund të besojë se presidenti Hashim Thaçi nuk ka qenë në dijeni për dëbimin e gjashtë qytetarëve turq.
Në një intervistë me shkrim për Gazetën Express, Lulzim Peci thotë se në Kosovë është bërë një shkelje e rendit kushtetues e kompetencave në mes kryeministrit dhe kryetarit të shtetit.
“Mendoj, se Kryeministri, ose duhet t’i ve gjërat në rend dhe të tregojë me gisht se ku qëndron problemi, ose duhet të shkojmë drejt zgjedhjeve”, thotë Peci.
Ai mendon se publiku tanimë e ka të sqaruar se një lloj “uzurpimi” te sektorit të sigurisë nga Presidenti është duke ndodhur në vend.
Kush tjetër duhet të shkarkohet përpos Shefit të AKI’së dhe Ministrit të Brendshëm për skandalin e dëbimit të gjashtë gulenistëve në Turqi?
– Së pari duhet të kryhen hetimet dhe pastaj të mirren veprimet në këtë drejtim. Me këtë rast është me rëndësi jetike për funksionimin demokratik të shtetit të Kosovës që të trajtohet në detaje edhe roli i krerëve shtetëror në aprovimin apo urdhërimin e operacionit per debimin e gjashtë qytetarëve turq. Pas kryerjes së hetimeve, do të qartësohet se kush tjetër duhet të shkarkohet dhe të ballafaqohet me drejtësinë kushtetuese dhe ligjore.
Dikush tha se ka pasur bazë ligjore për një veprim të tillë. Ligjërisht, a mundet Shefi i AKI’së bashkë me MPB’në të dëbojnë njerëz pa i përfillur procedurat e parapara për Ligjin për të Huajt?
– Asnjë veprim i tillë nuk mund të mirret nga funksionarët në fjalë, pa i përfillur ligjet e Kosovës dhe konventat ndërkombëtare per të drejtat e njeriut. Me këtë rast, janë shkelur ligjet në fuqi, Kushtetuta e vendit dhe Konventa e Këshillit të Evropës për të drejtat e njeriut.
A ka mundësi të ndodh një ngjarje e tillë dhe të mos kenë informacione Shefi i Qeverisë, Kryetari i Kuvendit dhe Presidenti, kur të njëjtit informohen edhe për çështjet më të thjeshta që ndodhin në Republikë?
– Nuk besoj se është e mundshme, pasi Drejtori i AKI-së i raporton Kryeministrit dhe Presidentit. Por, nëse në raportim është tejkaluar njëri prej tyre, dhe si po duket është Kryeministri që nuk ka qenë i informuar, atëherë këtu kemi të bëjmë me klandestinivizem shtetëror, dhe thyerje të rendit kushtetues në qeverisjen e sektorit të sigurisë.
Kush mund t’i besojë Veselit dhe Thacit që nuk janë njoftuar për aksionin kur njeriu i tyre ishte Shef i deritashëm i AKI’së si dhe fakti që i njëjti është edhe Këshilltar për Siguri i Presidentit dhe i Kryeministrit?
Mendoj se Veseli dhe Thaçi në këtë rast duhet të ndahen. AKI dhe MPB nuk i raportojne per operacionet e tyre Kryetarit të Kuvendit, por ekzekutivit, gjegjësisht Kryeministrit dhe Presidentit. Por, askush nuk mund të besojë se Presidenti i vendit nuk e ka ditur për aksionin.
Pse duhet të vazhdojë mandatin e Kryeministrit një person që e pranon publikisht dhe ndodh ndoshta edhe praktikisht që s’ka njohuri për ngjarjet që ndodhin në Republikë e janë kompetencë e tij?
– Në Kosovë është e qartë se është duke ndodhur një lloj thyerje e rendit kushtetues për sa i pëket kompetencave në mes kryeministrit dhe kryetarit të shtetit, që është duke e futur vendin në lojëra të rrezikshme. Mendoj, se Kryeministri, ose duhet t’i ve gjërat në rend dhe të tregoj me gisht se ku qëndron problemi, apo duhet të shkojmë drejtë zgjedhjeve. Besoj se publiku tanimë e ka të sqaruar se një lloj “uzurpimi” te sektorit të sigurisë nga Presidenti është duke ndodhur në vend. Me sulmet e djeshme ndaj VV-së ai bëri edhe një hap mëtutje në këtë drejtim.
Cilat mund të kenë të mirat që ua ka bërë Erdogan zyrtarëve të Shtetit të Kosovës për t’ia kthyer borxhin me kidnapimin e turqve dhe deportimin e tyre ne Turqi?
– Nëse shteti do të funksiononte në bazë të kthyerjeve të borxheve personale, atëherë aty nuk ka shtet, por kuazi-shtet që bënë pazar interesat shtetërore në llogari të atyre personale. Veprime të tilla mund të bëjnë vetëm shtetet e dobëta, strukturat shtetërore të të cilave janë të ndërlidhura me ato oligarkike.
Në rastin tonë nuk mund të paragjykoj, pasi nuk kam fakte të prekshme, por nuk isha befasuar nëse diçka e tillë të del e saktë./gazeta express/
Shpërthimi në Ibër Lepenc, Aivo Orav: E dënoj rastin, përgje...
ShBA-ja dënon sulmin në Ibër-Lepenc: Qeveria e ka mbështetje...
Momentet më pikante mes Sarës dhe Drilonit, çfarë po ndodh m...
Rusia mbyll muzeun e njohur që dokumenton mizoritë e Gulagut
Edi – Gjestit: S’ki nevojë me u tut se dola unë tash!
Krasniqi: Që të rinjtë të qëndrojnë në Kosovë, atyre u duhet...