Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, në një shënim të sotëm, pasi shpreh respekt për të gjitha masakrat që ndodhën në Mars, thekson se “për fat të keq, autorët e krimit dhe planifikuesit e tyre, mbetën ende të pandëshkuar”.
Ai po ashtu, ka shprehur keqardhje “në shumë raste, jo vetëm vrasja, por edhe varrimi dhe zhvarrimi i tyre, është plagë shtesë për të gjithë neve”.
Ky është shënimi i plotë i Jasharit:
“Muaji Mars, na gjen pranë familjeve që humbën më të dashurit e vet, në luftën Çlirimtare. Këtë muaj, filloi fundi i okupimit serb, por njëherësh, gjithandej Republikës tonë, përkujtuam masakrat barbare të okupatorit, ku në mesin e të vrarëve, kishte shumë fëmijë, gra e pleq.
Pas përkujtimit të dhimbshëm të masakrës së Likoshanit e Çirezit dhe qëndresës shembullore të Prekazit, vijuam me kujtimin e masakrës në Beleg dhe Irzniq, Masakra e Fushë Kosovës, Krusha e Madhe dhe Krusha e Vogël, familjar e bashkëfshatar të filozofit të lirisë së Kosovës, Prof. Ukshin Hotit.
Izbica është një nga kapitujt e tmerrit dhe tragjik, u vranë 147 qytetarët duarthatë, nga disa fshatra të komunës tonë, edhe nga Leqina, Kllodërnica, Buroja, Padalishta, Morina, Ujmiri e Kërrnica. Me dhimbje u përkujtua Suhareka, ku familja Berisha humbi 50 anëtarë të familjes.
Të paharrueshëm janë 75 martirët e Celinës, 69 martirët e Fortesës dhe 49 martirët e 5 dëshmorët e Brestocit. Masakra e tregut të Mitrovicës, për t’u mbyllur Marsi me masakrën në Burim të Malishevës, ku janë vrarë e masakruar 42 qytetar të pafajshëm, kryesisht nga fshatrat Dragobil dhe Astrazup.
Marsi po ashtu, ishte dëshmitar i trimave të Gllogjanit përball armikut shekullor serb. Çlirimtarët u gjetën në pikën e fuqishme të saj, në pikën e qëndresës, duke u bërë shembull për të gjithë atdhedashësit se liria nuk do të negociohet me okupatorin serb.
Në shumë raste, jo vetëm vrasja, por edhe varrimi dhe zhvarrimi i tyre, është plagë shtesë për të gjithë neve. Për fat të keq, autorët e krimit dhe planifikuesit e tyre, mbetën ende të pandëshkuar.
Përkujtuam në të njëjtën kohë heroizmin e ushtarëve të UÇK-së, por edhe dëshmorët e martirët që nuk iu nënshtruan barbarisë serbe që tronditën jo vetëm kombin tonë, por edhe opinionin ndërkombëtar.
Ndjej keqardhje që nuk kam mundur të jem i pranishëm në secilën vatër të lirisë tonë, për të shprehur respekt për secilin hero, secilin dëshmor e martir të kombit, njëherësh, falënderoj të gjithë pjesëmarrësit e përkujtimit të 20 vjetorit të “Epopesë së UÇK-së”.
Përjetësisht krenar me jetën e veprën e heronjve, dëshmorëve dhe martirëve të kombit!
Lavdi të gjithë të rënëve për çlirimin e vendit!”
“Edi, eja dashuria ime” – Gjesti me kunja ndaj Xhenetës
Fonseca insiston se Milani mund ta fitojë titullin kampion p...
Palestinezët e konsiderojnë moment historik urdhër arrestin ...
“Ose do bëhet multiplanetare, ose do zhduket”, paralajmërimi...
Çka i shkakton dhimbjet e kokës në mëngjes?
A Kane karbohidrate kartotat dhe barishtet jeshile?