Pas vendimit të drejtuesve shtetërorë të Serbisë që të tërheqin Listën Serbe nga Qeveria e Kosovës si reagim ndaj arrestimit të Marko Gjuriqit të hënën, mund të priten vështirësi në normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
Njohësit e çështjeve politike i shohin në mënyra të ndryshme kërcënimet e Serbisë. Dikush i quan se janë fatkeqe për Kosovën, e dikush sa për konsum të brendshëm.
Zhvillimet e fundit në vend, mund të lëkundin normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, për shkak të kërcënimeve dhe shantazheve që po bën Serbia karshi Kosovës.
Profesori i negocimit ndërkombëtar në Universitetin e Parisit ,Valon Murtezaj, në një bisedë për Radio Kosovën konsideron se ky proces është çështja më e vështirë që ka Kosova në planin e saj ndërkombëtar dhe rajonal, për shkak të sjelljes destruktive të Qeverisë së Serbisë.
“I kemi parë provokimet në vazhdimësi ndaj territorit të Kosovës, ndaj sovranitetit, ndaj zhvillimeve të brendshme . Në këtë situatë ajo çfarë institucionet e Republikës së Kosovës duhet të bëjnë lidhur me dialogun, duhet të jenë tepër të qartë për pikat apo për temat të cilat duhet të diskutojnë, për qasjen ndaj këtij dialogu si dhe të kërkojnë fuqishëm nga institucionet e Bashkimit Evropian që të kenë rol ndërmjetësues që palët të negociojnë në mënyrë korrekte dhe të barabartë, dhe duke pasur vëmendjen për zbatimin e marrëveshjeve, sepse të gjithë e dimë se Serbia deri tani nuk ka pasur asnjë interesim apo vullnet për të zgjidhur çështjet lidhur me Kosovën”, tha ai.
Sa i për ketë kërcënimeve që vijnë nga Serbia, profesor Murtezaj thotë se kjo është një situatë fatkeqe për Kosovën:
“Këto kërcënime tregojnë se nuk ka ndryshuar mentaliteti i sjelljes në Beograd, sado që këto janë të pazbatueshme në Kosovë ,sepse Kosova nuk është më si ka qenë para 20 viteve, po ashtu janë dimensione të tjera të mbrojtjes së Kosovës, në radhë të parë nga NATO. Mirëpo, kjo tregon se me çfarë fqinjësh kemi të bëjmë dhe sa janë ata për normalizim të marrëdhënieve me Kosovën. Pra, kjo është një situatë fatkeqe për Kosovën”, tha ai.
Ndërkaq politikologu Ramush Tahiri, edhe pas ngjarjeve të fundit, konsideron se marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë duhet të shkojnë drejt normalizimit, sepse nuk ka alternativë tjetër.
“Bisedimet që po zhvillohen në Bruksel me ndërmjetësim të BE-së dhe me mbështetje të SHBA-së, kanë për qëllim që përmes zgjidhjes së çështjeve teknike që paraqiten si problem, të krijojnë kushtet për normalizim pa pasur nevojë për pranim të ndërsjellë”, tha ai.
Tahiri, shantazhet e kërcënimet e Serbisë i sheh më tepër për konsum të brendshëm:
“Serbia po bën edhe kërcënime edhe shantazhe, edhe po përdor një fjalor jo politik por që është ofendues për Kosovën. Mirëpo, me veprime në Bruksel ajo po sillet në mënyrë korrekte, edhe për derisa pranon kriteret e caktuara të BE-së dhe përderisa e trajton Kosovën si palë të barabartë në këto bisedime, është krejt çështje se çka flet për konsum të brendshëm edhe çfarë fjalori përdor nëse ai nuk përcillet me aksione për destabilizimin e Kosovës”, tha ai.
Në kuadër të dialogut Kosovë- Serbi që ka filluar në mars të vitit 2011, në prill të vitit 2013 është arritur marrëveshja e parë që rregullon normalizimin e raporteve mes dy vendeve, që njihet si Marrëveshja e Brukselit./ Radio Kosova/
Osmani mori pjesë në pritjen zyrtare të Krishtlindjes në Kat...
Nasim Haradinaj tregon daljen e parë para gjyqtarit: Kostumi...
Shqipëri/ Shpërblim për policët, pritet të përfitojnë 8000 e...
Barcelona në rrugë të mirë për ta transferuar Jonathan Tah v...
I gjithë Ferizaj në terr, Aliu: Kjo është e pashembullt
Izraeli dhe Hamasi akuzojnë njëri-tjetrin për dështimin e nj...