Google ADS

Dodë Gjergji: Uroj që të gjithë njerëzit në Kosovë ta kërkojnë me sinqeritet të vërtetën

12:17 | 31 Mars 2018
Arbresh.info

Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji ua ka uruar sot Festën e Pashkëve të gjithë besimtarëve katolikë përmes një mesazhi.

Gjergji tha se kjo festë është rast i mirë që të përtërihet dashuria brenda kishës, dhe që të ketë një angazhim në mënyrë që dashuria të arrihet të ndjehet në çdo zemër, sepse vetëm atëherë sipas Gjergjit do dihet se si të ruhet gëzimi i jetës.

“Duke jua uruar festën e madhe të Pashkëve, uroj që të gjithë njerëzit në Kosovë ta kërkojnë me sinqeritet të vërtetën, ta gjejnë duresën për zgjidhjen e mospajtimeve dhe të mos pushojnë kurrë duke e falur njëri-tjetrin. Sepse, miqësia nuk matet me sa kemi gabuar, por me sa shumë kemi falur. Vetëm kështu do të mund t’i rimbushim me dashuri zemrat, shtëpitë tona dhe gjithë Vendin.Krishti, Princi i paqes dhe burimi i dashurisë, na ndihmoftë të gjithëve! Për shumë mot Pashkët”, thuhet në fund të mesazhit të ipeshkvit.

Më poshtë keni mesazhin e plotë të Imzot Dodë Gjergjit:

Fort të dashur, gjatë përvojës dyzetditore të kreshmëve, jemi përpjekur të hymë në përvojën e popullit të Zotit, që të mund ta shtojmë dashurinë dhe besnikërinë ndaj Zotit tonë Jezu Krishtit. Pastaj, me uratë, meditim dhe agjërim kemi arritur ta zbulojmë praninë e tij në jetët tona. Kurse, duke ndarë lëmoshë jemi bërë shërbyes të dashurisë së Zotit në mesin e njerëzve.

Tani, kur po festojmë festën e Pashkëve, po kremtojmë triumfin e Krishtit mbi mëkatin e botës dhe mbi vdekjen, nëpërmjet Ringjalljes. Ai i gjallë në mesin tonë, vazhdimisht na ngushëllon dhe s’pushon duke na thënë: “Pse po trembeni? Pse po dyshoni në zemrat tuaja? Shikoni duart e mia e këmbët e mia: unë jam”! (Lk 24, 38-39)

Vërtet, Hyji aq fort e deshi botën, saqë dha një të vetmin Birin e vet, kështu që secili që beson në të, të mos birret, por të ketë jetën e pasosur.” (Gjn 3,16). Nëpër sakrificën e Krishtit në Kalvar, Hyji, Ati ynë qiellor, ka demonstruar dashurinë e përkryer ndaj bijve që i ka në botë dhe, njëkohësisht, na fton të gjithëve që ta përqafojmë me zemër këtë Dashuri. Ndaj, askush nuk duhet të hezitojë që ta sodisë kryqin dhe të lëshohet në pafundësitë e thellësisë së zemrës, sepse vetëm nga aty mund t’i japim përgjigjen e dashurisë sonë kësaj dashurie Hyjnore, që na u zbulua dhe na u dhurua neve, nëpërmjet vdekjes dhe ngjalljes së Jezu Krishtit.

Në festimin e përvjetshëm të Pashkëve, Kisha dhe besimtarët brenda saj, i gëzohen pranisë së Krishtit të Ringjallur në mesin e tyre, bashkë me të kremtojnë, dëshmojnë dhe e shpallin solemnisht Lajmin e mirë të Ungjillit. Pastaj,ata i ftojnë të gjithë njerëzit që të kthehen te Ati e të besojnë, në mënyrë që të gjithë të jemi në shërbim të dashurisë dhe të paqes mes njerëzve.

“Falë angazhimit të Krishtit, ne mund të jemi pjesë e drejtësisë supreme, e cila shfaqet në dashuri. Kurse, ne na takon, të angazhohemi që kjo dashuri, e cila më shumë dhurohet, sesa kërkon shpërblim, të ndjehet në çdo zemër, të shihet në çdo gjë dhe të jetë e pranishme në çdo vend.” (Papa Benedikti i XVI).

Festa e Pashkëve është rast i mirë që të përtërijmë dashurinë brenda Kishës dhe së bashku me kishën, të angazhohemi që dashuria e vërtetë të arrijë të ndihet në çdo zemër, sepse vetëm atëherë do të dimë të ruajmë gëzimin e jetës. Dashuria e vërtetë nuk mund të jetë një gjest i njëhershëm ose një shprehi e herëpashershme. Dashuria e Krishtit është një gjendje e përhershme që të tjerët e përjetojnë nëpërmjet faljes dhe pajtimit dhe bëhet e prekshme nëpërmjet veprave të tjera të dashurisë. Kudo që gjendet besimtari duhet të bëhet e pranishme dashuria e Krishtit.

Mungesa e dashurisë na ka varfëruar shpirtin dhe po na e bren zemrën. Në një mënyrë, po e bën “të pashijshme” paqen edhe lirinë që po e gëzojmë. Dhe, sa më gjatë po shtyhet koha e konflikteve, aq më tepër po na mungon gëzimi dhe dashuria, si në familje, ashtu edhe në shoqëri. Në vend që të dimë t’iu gëzohemi të mirave që kemi arritur, kudo që sillesh, ndien pakënaqësi, zhgënjim dhe mosbesim. Gjithë pëshpëritin diçka kundër njëri-tjetrit, çdokush merr guximin për të vlerësuar ose gjykuar të afërmin; mu ata që s’janë gati t’i nënshtrohen së vërtetës, marrin guximin për ta akuzuar tjetrin dhe për ta vlerësuar vetveten. E ata që duhet të jenë shembull, shpeshherë, më shumë bëhen shkandull. Me pakë fjalë, është krijuar një ambient i rëndë, ku ka zënë vend dyshimi, mosbesimi, dëshpërimi dhe konfliktualiteti që po na e zë frymën. Gjithë kjo që po ndodh dhe po e përjetojmë, buron nga mungesa e dashurisë. E, kur njeriu, ndien boshllëkun brenda vetvetes, atëherë këtë vakuum mundohet ta mbushë me kotësira, që në realitet vetëm sa e rrisin zbrazëtinë, gjithnjë e më shumë.

Sa ma e zbehtë është dashuria aq ma shumë shpërfaqet vrazhdësia e urrejtjes, që na shtynë kah përçarja dhe konflikti. Konfliktet e brendshme të klasës politike, përplasjet me komunitetin ndërkombëtarë dhe veprimet që provokojnë paqen ose shkelin të drejtat e njeriut, nuk janë gjë tjetër veçse mungesë e dashurisë dhe keqpërdorim i besimit të marrë nga qytetarët.

Shpirti Shenjt i mbushtë zemrat e të gjithëve me dashuri dhe na dhëntë guximin të kthehemi te burimi i dashurisë, që është Krishti i Kryqëzuar dhe i Ringjallur, që të kuptojmë se dashuria nuk është kënaqësi, por dhimbje dhe se dhimbja nuk shërohet me psherëtima e vajtime, por me qëndresë dhe duresë.

Në festën e paqes dhe pajtimit, mes Zotit e njeriut, kur dashuria e Krishtit të ringjallur ka triumfuar mbi urrejtjen dhe vdekjen, i ftoj të gjithë njerëzit në Kosovë që të gjejnë forcën e dashurisë dhe guximin e faljes dhe pajtimit, në mënyrë që të ecim me gëzim drejt së ardhmes duke i dhënë kuptim të sotmes.

Kjo nuk do të thotë që gjatë ecjes nuk duhet zgjidhur të gjitha vështirësitë që kemi. Ecja pranë njëri-tjetrit dhe përballja me realitetin e bashkudhëtimit është gjithnjë një dialog, nëpërmjet të cilit mund t’i zgjidhim mospajtimet. Këndej, askush nuk duhet ta shohë dialogun si kërcënim e as kompromiset si dështim, por si mjetin për ruajtjen e paqes dhe si mënyrën për pajtim me të tjerët. Edhe pse kompromisi është pjesë e rëndësishme në dialog, megjithatë nuk duhet harruar që e vërteta dhe sinqeriteti janë shpirti i çdo dialogu.

Duke jua uruar festën e madhe të Pashkëve, uroj që të gjithë njerëzit në Kosovë ta kërkojnë me sinqeritet të vërtetën, ta gjejnë duresën për zgjidhjen e mospajtimeve dhe të mos pushojnë kurrë duke e falur njëri-tjetrin. Sepse, miqësia nuk matet me sa kemi gabuar, por me sa shumë kemi falur. Vetëm kështu do të mund t’i rimbushim me dashuri zemrat, shtëpitë tona dhe gjithë Vendin.Krishti, Princi i paqes dhe burimi i dashurisë, na ndihmoftë të gjithëve! Për shumë mot Pashkët!

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme