Kompanitë e kafesë nga tani detyrohen të vendosin këtë paralajmërim

12:09 | 30 Mars 2018
Arbresh.info

Gjykata në shtetin e Kalifornisë në SHBA ka vendosur që disa kompani të kafesë të vendosin paralajmërimin “mund të shkaktojë kancer” në produktet e tyre
Kaliforni, kompanitë e kafesë detyrohen të vendosin paralajmërim për kancer.

Gjykata në shtetin e Kalifornisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) ka vendosur që disa kompani të kafesë të vendosin paralajmërimin “mund të shkaktojë kancer” në produktet e tyre, raporton Anadolu Agency.

Procesi gjyqësor ka përfshirë 90 kompani, përfshirë edhe zinxhirin e famshëm të kafesë Starbucks, në kuadër të ligjit të Këshillit të Edukimit dhe Hulumtimit të Materieve Toksike i cili detyron informimin rreth substancave kimike.

Gjykatësi i Gjykatës së Lartë të Los Angelesit, Elihu Berle, tha se kompanitë e përfshira në procesin gjyqësor nuk kanë arritur të paraqesin prova se substanca kancerogjene që krijohet në fazën e pjekjes së kafesë nuk rrezikon shëndetin e njeriut.

Berle ka vendosur se kompanitë e kafesë duhet të vendosin paralajmërimin “mund të shkaktojë kancer” në produktet e tyre.

Këshilli thekson se substanca akrilamid që krijohet gjatë pjekjes së kafesë bën pjesë në mesin e substancave kimike në fjalë.

Nga ana tjetër, kompanitë pohojnë se substancat kimike në produktet e tyre janë në sasi të padëmshme dhe se duhet të përjashtohen nga ligji pasi, sipas tyre, pjekja e kafesë është proces natyror i nevojshëm për ta bërë kafenë më të lezetshme.

Disa kompani të tjera theksojnë se është e pamundur largimi i akrilamidit pa prishur lezetin e kafesë.

Në vitin 2016, Organizata Botërore e Shëndetësisë vendosi kafenë në listën e “kancerogjenëve të mundur”./AA

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme