Takimi Bushati-Kotzias, PDIU: Ministri grek kërkoi mospërmendjen e Çamërisë

22:38 | 29 Mars 2018
Trina Galanxhi

Ministri i Jashtëm grek, Nikos Kotzias u ndal sot për disa orë në tiranë, në atë që ishte një vizitë për të konfirmuar edhe njëherë frymën pozitive që po shoqëron procesin e negociatave për zgjidhjen e disa mosmarrëveshjeve disavjeçare midis Shqipërisë dhe Greqisë.

E teksa Kotzias u largua nga zyra e Ditmir Bushatit me bindjen për vijimin e punës së nisur në Kretë e Korçë, nga zyrat e PDIU, kreu i kësaj partie Shpëtim Idrizi ka sulmuar ministrin e Jashtëm grek, duke thënë se ai ka kërkuar që të mos përmendet çështja çame, pasi në të kundërt do të çohej nga tavolina.

“Në takimin që është zhvilluar mes ministrave të jashtëm të Shqipërisë dhe Greqisë, në tavolinën e diskutimeve, sipas mediave, Kotzias ka kërkuar që të mos përmendet Çamëria në të kundërt ai do të çohet nga tavolina. Nëse ky lajm është i vërtete po ju kujtoj, që çështja Çame është dhe mbështetet me dokumenta detyruese dhe jo çështje dëshirash për shtetin Shqiptar”, thuhet në një deklaratë të Idrizit.

Kreu i PDIU thekson më tej se “çështja e shqiptarëve të Çamërisë mbështetet mbi ligjin e Parlamentit të Shqipërisë të vitit 1994, që e njeh 27 qershorin si ditën e genocidit mbi shqiptarët e Çamërisë dhe Rezoluta për çështjen Çame”.

“Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet është për dialog dhe për zgjidhje në tavolinë, por po të ishte për të çuar nga tavolina, duhej të çohej Bushati, që për sa kohë Greqia nuk ka hequr ligjin e luftës me Shqipërinë, duhej të mos ulej në tavolinë me një vend që mban në fuqi ligjin e luftës me Shqipërinë”, nënvizon Idirizi./gsh/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme