Google ADS

Njerëz të afërm me politikanët dërgohen në krye të PTK-së

18:29 | 29 Mars 2018
M. A.

Telekomi i Kosovës sot zgjodhi anëtarët e bordit, zgjedhja e tyre u lajmëruar se nuk do të jetë politike por në mesin e tyre ka njerëz që janë të lidhur me njerëz të politikës, komandant të UÇK-së dhe ish anëtar bordesh. Insajderi ju sjell profilet e këtyre gjashtë anëtarëve të rinj të kësaj ndërmarrje publike.

Telekomi i Kosovës sot ka kompletuar bordin e ri, pasi që ka qenë jo funksional tash e një kohë. Anëtarët e rinj janë: Besa Shatri – Berisha, Skender Hoti, Osman Ejupi, Sead Ujkani, Fidel Krasniqi dhe Suzana Andjelkoviq.

Këta anëtar të rinj të cilët u zgjedhën në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës, do ta drejtojnë këtë ndërmarrje publike për tri vjetët e ardhshme.

Në mesin e këtyre anëtarëve të bordit është emëruar edhe një njeri i afërt me kryeministrin Haradinaj, ani pse ky i fundit nuk kishe dashur të komentoj se a është zgjedhja e tyre politike.

Besa Shatri – Berisha, është në mesin e anëtarëve të bordit të Telekomit të Kosovës, ajo është bashkëshortja e deputetit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Bekë Berisha.

Shatri – Berisha iu kishte nënshtruar intervistës për këtë pozitë më 14 mars të këtij viti. Ajo ka qenë e vetmja kandidate femër në konkurs.

Përveç bashkëshortes së deputetit Berisha, pjesë e anëtarëve të bordit të Telekomit është edhe Skender Hoti.

Hoti ka qenë dëshmitar në procesin e njohur si “Bellanica”, ku i dyshuari kryesor ishte zëvendëskryeministri, Fatmir Limaj. Skender Hoti kishte deklaruar se ka qenë komandat i njësitit “Çeliku 5”.

Në mesin e këtyre anëtarëve është edhe Osman Ejupi ish-kryetar i Autroitetit Kosovar të Konkurrencës. Përveç Ejupit anëtar bordi është edhe Sead Ujkani, i cili ka qenë ish-kryesuesi i bordit të Ndërmarrjes “Stacioni i Autobusëve”, i cili është edhe profesor në Fakultetin Ekonomik të Univeristetit të Prishtinës.

Në mesin e tyre janë edhe Fidel Krasniqi dhe Suzana Andjelkoviq.

Haradinaj sot gjatë një koference për media ka siguruar se procesi i përzgjedhjes së anëtarëve të bordit të PTK-së ka qenë i mirëfilltë, kur është pyetur se në listë janë futur emra politikë.

“Për sa janë politik, nuk mund them tash për tash, por mundem me ju siguru diçka se ka ndodhur një proces i mirëfilltë paraprak para këtij vendimi, por është shtyrë, sepse është bërë ndërrimi i Qeverisë, dhe se është i njëjti proces që është vazhduar. Andaj, edhe një praktikë e tillë janë komisionet të cilat i bëjnë propozimin qeverisë. Pra, në tavolinë të qeverisë këta gjatë (emra) kanë ardhur”, ka thënë kryeministri Haradinaj.

Ndryshe, Bordi i Telekomit të Kosovës ka qenë jo funksional tash e më shumë se dy vjet. Në fillim ishin propozuar 24 kandidatë të cilët i ishin nënshtruar intervistës për anëtar të bordit të Telekomit të Kosovës.

Kjo ndërmarrje publike përveç që ishte pa bord tash e një kohë, ajo ka mbetur edhe pa kryeshef ekzekutiv pasi që mandati i drejtorit menaxhues, Agron Mustafa ka skaduar me 23 shkurt të këtij viti. /Insajderi.com

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme