Klinika Universitare e Psikiatrisë, distancohet nga përgjegjësia për ekspertizën neuropsikiatrike në rastin e Almir Aliut, e cila, siç zbuloi ditë më parë Alsat M është bërë nga ekspert pa licencë.
Drejtori aktual Stojan Bajraktarov, përmes bisedës telefonike na tha shkurt se ekspertiza është kërkuar dhe bërë në kohën kur me Klinikën ka udhëhequr drejtor tjetër. Nga shtatori i viti 2016 kur edhe ishte bërë kërkesa për ekspertizë, deri në qershor 2017 me Klinikën Universitare të Psikiatrisë ka udhëhequr drejtori Antoni Novotni.
Ky i fundit në një prononcim për Alsat M duke mbrojtur ekspertin Stefanovski theksoi se në përgatitjen e ekspertizës neuropsikiatrike nuk është bërë asnjë shkelje ligjore dhe profesionale.
“Branisllav Stefanovski ka pasur licencë por pa afat. Ne nuk kontrollojmë afate të licencave, madje afati nuk është as kusht dhe as parakusht për të bërë ekspertizë neuropsikiatrike ose çfarëdo qoftë. Ekspertiza është bërë në mënyrë profesionale dhe nuk ka asnjë prapavijë. Fakti që Stefanovski nuk ka pasur licencë me afat nuk ndikon asgjë në ekspertizë” – deklaroi Antoni Novotni, drejtor i KUP-së Shkup.
Qëndrim kërkuam edhe nga eksperti Branisllav Stefanovski, por ky nuk u përgjigj në asnjë nga thirrjet dhe mesazhet tona telefonike. Alsat M ka arritur deri tek procesverbali i seancës gjyqësore kur në pyetje të kryqëzuara, avokatët e familjes Aliu kanë pyetur Stefanovskin rreth licencës së tij. Eksperti neuropsikiatrik nga avokatët është pyetur rreth numrit të licencës dhe afatit të saj dhe ashtu siç dëshmohet, Stefanovski ka thënë se ka licencë valide dhe se nuk i kujtohet numri i saj. Përveç Stefanovskit, pa licencë është edhe ekspertja psikiatrike Zoja Babinkostava, të cilës dikasteri i Drejtësisë ia ka huazuar licencë dhe të drejtën për të qenë ekspert psikiatrik për tre vitet e ardhshme. Edhe për licencën e Babinkostovas, drejtori i klinikës përsëriti të njëjtin qëndrim. Nga ana tjetër, zëvendësministri i Drejtësisë, Oliver Ristovski në pyetje deputetësh në Kuvend, i pyetur nga deputeti Fadil Zendeli theksoi se dikasteri të cilit i takon ai do të shqyrtojë gjendjen faktike me licencat e ekspertëve, por pa precizuar nëse do të marrin masa konkrete.
Ministria e Drejtësisë është e detyruar të mbajë regjistër të ekspertëve dhe të licencave të dhëna. Në formë të shkruar dhe pas verifikimit në regjistër do të merrni informacione – deklaroi Oliver Ristovski, Zëvendësministër i Drejtësisë.
Për skandalin në fjalë, përmes Alsat M është njoftuar edhe Avokati i Popullit. I pari i këtij institucioni, Ixhet Memeti theksoi se nga fillimi ka pasur dyshime rreth procedurës gjyqësore, pavarësisht se si institucion deri më tani vetëm në disa seanca ka qenë prezent për të monitoruar nga afër procesin. Memeti fajin e adreson tek Prokuroria Themelore e Kumanovës.
“Nuk duhet që faji të hidhet. Ne kemi kërkuar si Prokurori dhe na është dhënë. Po ti ke kërkuar, por kur e ke siguruar informacionin se kush caktohet për ekspert neuropsikiatrik, është dashur ta legjitimosh, të marrësh të dhëna dhe të vërtetosh nëse plotëson të gjitha kushtet. Kjo është pengesë shumë e madhe” – tha Ixhet Memeti, Avokat i Popullit.
Alsat M ditë më parë zbuloi se ekspertiza neuropsikiatrike për të akuzuarin Boban Iliq në rastin e Almir Aliut është bërë nga ekspert të cilit licenca i ka skaduar para se të ndodhte vrasja e Almirit më 25 qershor 2016 në Kumanovë. Për këtë lëshim përgjegjësi nuk mbajnë as organet e zbatimit të ligjit. Gjykata Themelore e Kumanovës kumtoi shkurt se nuk e kanë për detyrë të bëjnë ekspertizë ndaj ekspertëve ligjore, ndërsa Prokuroria Publike fajin e hodhi tek Klinika Universitare e Psikiatrisë duke theksuar se nuk është detyrë e organit të akuzës të verifikojë licencat e ekspertëve ligjor. Pikërisht ekspertiza neuropsikiatrike e Boban Iliq në të cilën është konstatuar se ai gjatë kryerjes së aktit ka qenë nën afekt por i vetëdijshëm për veprimet e ndërmarra, u mor për bazë që pas gati dy viteve, prokurorja e lëndës, Suzana Kusigerska të bëjë rikualifikimin e veprës nga “vrasje” në “vepër të rëndë kundër sigurisë së qytetarëve dhe pronës në komunikacion”. Seanca e ardhshme është caktuar për 2 prill ku edhe do të thuhen fjalët përfundimtare të palëve. Mbrojtja e familjes Aliu do të theksojë mungesën e licencës, por duke qenë të vetëdijshëm se tani procesi gjyqësorë është në fazën e pa ndryshueshme. Paraprakisht mbrojtja kishte lëshuar mundësinë për të kundërshtuar këtë ekspertizë gjatë procesit gjyqësorë./AlsatM
Bill Clintoni shtrohet në spital
Federata e Futbollit në Gjermani nderon legjendën Franz Beck...
Përgjuesi i Vullnetit po “çmend” banorët
Xuxi aludon se Gresa ka pëlqim për të, tregon momentet kur i...
NASA: Anija kozmike Parker Solar Probe i afrohet Diellit
Pesë lojtarë të kombëtares shqiptare nuk e kanë humbur asnjë...