Rreth 89 përqind e popullatës është furnizuar me ujë nëpërmjet sistemeve publike

15:34 | 29 Mars 2018
Arbresh.info

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar Statistikat e Ujërave në Kosovë për vitet 2016-2017.

Ky publikim del çdo dy vjet dhe ka për qëllim informimin statistikor gjithëpërfshirës të burimeve ujore në Kosovë dhe synon të kontribuojë në krijimin e një informacioni të qëndrueshëm mbi gjendjen e ujërave në Kosovë.

Në vitin 2016, rreth 89.59% e popullatës së Kosovës është furnizuar me ujë nëpërmjet sistemeve publike, të menaxhuara nga Kompanitë Rajonale të Ujit, ndërsa rreth 10.41% e popullatës nuk ka pasur në dispozicion shërbimet e ujësjellësit.

Në vitin 2016, gjithsej sasia e furnizimit me ujë për ekonomitë familjare, aktivitetet industriale dhe institucionet ka qenë 62.07 milionë m³ ujë.

Ndërsa, furnizimi i ekonomive familjare me ujë të pijshëm ka pësuar ndryshime nga viti në vit, si p.sh. në vitin 2010 ishte 41.88 milionë m³; në vitin 2014, ishte 46.72 milionë m³; ndërsa, në vitin 2016 ka arritur në 52.33 milionë m³.

Uji i shpenzuar për ujitje me sistem në bujqësi ka pësuar ndryshime të theksuara nga viti në vit. Në vitin 2010 ishte 42 milionë m³, në vitin 2014 ka arritur në 53 milionë m³, kurse në vitin 2017 ka qenë 52.62 milionë m³.

Nga të dhënat e liqeneve akumulues del se vëllimi gjithsej i akumulimeve është 565 milionë m³.

Të dhënat nga publikimi tregojnë se sasia më e madhe e ujit të shfrytëzuar në baza ditore dhe vjetore si burim kryesor kanë liqenet akumuluese dhe burimet natyrore.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme