Google ADS

BE dënon sulmin raketor të rebelëve Husi ndaj Arabisë Saudite

09:31 | 28 Mars 2018
Arbresh.info
“Kjo paraqet një tjetër akt provokues, i cili është në kundërshtim me thirrjet e bashkësisë ndërkombëtare për një zgjidhje paqësore”, thotë Mogherini
 Bashkimi Evropian (BE) dënoi të martën sulmin raketor të kryer nga rebelët Husi ndaj Arabisë Saudite, në të cilin një person u vra dhe dy të tjerë u plagosën, raporton Anadolu Agency (AA).

“Kjo paraqet një tjetër akt provokues, i cili është në kundërshtim me thirrjet e bashkësisë ndërkombëtare për një zgjidhje paqësore, të negociuar si dhe gjithëpërfshirëse për krizën e Jemenit”, tha shefja e BE-së për Politikë të Jashtme, Federica Mogherini.

Ajo i bëri thirrje të dërguarit të Posaçëm të Kombeve të Bashkuara për Jemenin, Martin Griffiths, “të mos dekurajohet nga aktet e tilla”.

“BE ripërsërit së qëndron pranë të dërguarit të Posaçëm, Martin Griffiths dhe ekipit të tij. Ne do të vazhdojmë me përkrahjen tonë të pakushtëzuar për te, përfshirë mbështetjen për angazhimin e tij që të punojë me të gjitha palët në konflikt, me qëllim të rifillimit urgjent të negociatave politike”, thuhet në njoftimin e Mogherinit.

Ajo shton se përshkallëzimi ushtarak çon në vuajtje shtesë të popullit në Jemen ndërkohë që përhap destabilitetin e rajonit.

Rikujtojmë se një person u vra dhe dy të tjerë u plagosën në një sulm raketor mbi Arabinë Saudite, të kryer nga Jemeni, që për objektiv kishte kryeqytetin Rijad.

Në vitin 2015, Arabia Saudite bashkë me aleatët e saj arabë nisën një fushatë ajrore kundër rebelëve Huthi, të cilët të mbështetur në atë kohë nga forcat besnike të Saleh-ut, pushtuan pjesën më të madhe të vendit, duke përfshirë kryeqytetin Sana./AA

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme