Federata e Futbollit e Kosovës (FFK), sot për herë të parë pas pranimit në UEFA e FIFA ka bërë shpërndarjen e Licencave C të UEFA për 24 trajnerët që kanë ndjekur kursin e organizuar nga FFK në bashkëpunim me Federatën e Futbollit të Gjermanisë.
Ky kurs kishte nisur më 20 nëntor të vitit të kaluar dhe trajnerët pjesëmarrës iu nënshtruan katër testimeve për t’u pajisur në fund me certifikatën dhe licencën C të UEFA-s. Të pranishëm në ndarjen e këtyre licencave krahas nënkryetarit të FFK-së, Agim Ademi, sekretarit të përgjithshëm, Eroll Salihu, drejtorit teknik, Michael Nees dhe Sanije Krasniqit, menaxhere e Grassroots, ishin edhe zëvendëspresidenti i DFB-së, Ronny Zimmermann dhe përfaqësuesja e ambasadës gjermane, Clara Duske.
Fillimisht nënkryetari i FFK-së, Agim Ademi i ka përshëndetur mysafirët nga Gjermania si dhe përfaqësuesen e ambasadës gjermane, për mbështetjen e vazhdueshme që i ka dhënë shtetit të Kosovës, por edhe FFK-së, duke shprehur shpresën se ky bashkëpunim do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Nënkryetari Ademi i ka përgëzuar trajnerët për marrjen e licencës C, të cilat i ka vlerësuar si shumë të rëndësishme për zhvillimin e tyre të mëtejmë si trajnerë.
Ndërkohë, nënkryetari i DFB-së, Ronny Zimmermann është shprehur i nderuar që janë ekipi i parë i Gjermanisë që do të luajnë sonte në Kosovë, derisa sa i përket shkollimit të trajnerëve ka thënë se është në nivel jashtëzakonisht të lartë dhe është pjesë bazike e emancipimit të futbollit. Ai ka thënë se pa pasur trajner të mirë nuk ka as futboll të mirë, derisa ka thënë se i vjen mirë që pjesë e këtij shkollimi kanë qenë edhe femrat. Zimmermann ka premtuar mbështetje për FFK-në edhe në të ardhmen.
Në anën tjetër Clara Duske u shpreh e lumtur që ambasada gjermane ka qenë pjesë e këtij organizimi dhe që Michael Nees e ka udhëhequr këtë shkollim si drejtor teknik i FFK-së. Ajo i ka përgëzuar trajnerët për këtë licencim, duke theksuar se kjo është një mundësi e mirë për zhvillimin e futbollit në të ardhmen dhe për të përçuar pozitivitet tek të rinjtë.
Ndërkohë, sekretari i përgjithshëm Eroll Salihu, duke i përshëndetur mysafirët dhe duke i falënderuar për mbështetjen e madhe që i kanë dhënë FFK-së, ka thënë se për këta trajnerë kjo është një datë e shënuar, pasi janë trajnerët e parë në historinë e futbollit kosovar që licencohen me certifikatë të UEFA-s nga FFK. Drejtori teknik, Michael Nees, ka thënë se ky kurs ka shkuar shumë mirë dhe sipas të gjitha standardeve të UEFA-s, derisa licencat do të jenë trivjeçare. Ai ka uruar trajnerët për suksesin e treguar, me shpresën se ata do të vazhdojnë të zhvillohen tutje.
Në emër të trajnerëve FFK-në, DFB-në dhe Ambasadën gjermane i ka falënderuar Arben Zeqiri, i cili ka thënë se ndihen të priveligjuar që janë trajnerët e parë që kanë marrë këto licenca, pas një rrugëtimi të gjatë të shumë gjeneratave dhe pas shumë peripecive nëpër të cilat ka kaluar futbolli i Kosovës deri në pranimin në UEFA e FIFA, njofton FFK.
Në fund, të gjithë trajnerëve u janë ndarë certifikatat dhe ID e Licencës C të UEFA-s, derisa Granit Dervisholli, i cili u tregua më i suksesshmi në këtë kurs është shpërblyer nga DFB me një fanellë të Kombëtares së Gjermanisë, si dhe nga FFK me një fanellë të Kombëtares së Kosovës dhe me një plaketë./arbresh.info/
Policia arreston tre persona të kërkuar me urdhëresë të Gjyk...
Gjyqtarët kosovarë delegohen për ndeshjen e UEFA Youth Leagu...
Kurti mirëpriti arkitektin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovë...
Tërmet në Japoni, sa ishte magnituda
Kombëtarja e Kosovës nis përgatitjet për miqësoret ndaj Esto...
Për çfarë Sara po e akuzon Gjestin se i mori?