Google ADS

Apostolova dhe Hoxha diskutojnë edhe për viza

11:52 | 27 Mars 2018
Arbresh.info

Sot po mbahet konferenca “Kosova, Presidenca e Këshillit të BE-së dhe Strategjia e re e Ballkanit Perëndimor – Çka mund të presim” e organizuar nga Ministria e Integrimit Evropian, njofton Klan Kosova.

Njëra nga pjesëmarrëset në këtë konferencë, shefja e Zyres së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, deklaroi se është e rëndësishme që Kosova do të jetë pjesë e Samitit të Sofies, dhe theksoi se në Kosovë duhet të kryhen reformat e nevojshme në mënyrë që vendi të shkojë përpara.

Ambasadori i Bullgarisë në Kosovë, Nedyalcho Danchev, e ka mirëpritur pjesëmarrjen e Kosovës në këtë Samit, ndërkaq ai i Austrisë, Gernot Pfandler, theksoi mbështetjen në vazhdimësi të Austrisë për Kosovën.

Ndërkaq, Apostolova vijoi duke thënë se duhet qenë të sinqertë me kosovarët, dhe që të mos jepen data për viza, sepse gjithçka varet se sa Kosova do ta luftojë krimin dhe korrupsionin.

Mirëpo, Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, iu përgjigj Apostolovës duke i thënë se qeveria nuk është naive dhe se kanë pasur shumë kushte për të plotësuar.

Ajo shtoi se ata po punojnë për të riformësuar sistemin gjyqësor në vend, dhe se duhet kohë për ta reformuar atë.

“Të gjithë e dimë se duhet kjo për t’u arritur dhe nuk mund të ndikojmë në punën e gjyqësorit”, shtoi ajo.

Hoxha tha se nuk po shikojnë vetëm për viza porse Kosova do që të bëhet edhe ndër shtetet kandidate për t’u integruar në BE.

Megjithatë, ministrja tregoi se Kosova do të aplikojë për BE vetëm në koordinim me institucionet e Bashkimit Evropian dhe nuk premton se kjo do të bëhet gjatë këtij viti.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme