Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që nga dita e nesërme mund të mbes pa kryesues dhe shumicën e anëtarëve për shkak se u skadon mandati.
Valdete Daka e cila e drejton këtë institucion tash e shtatë vjet, konfirmoi se mandati i saj në krye të KQZ-së skadon më 27 mars.
Ajo shprehu dëshirën e saj që të vazhdojë edhe një mandat si e para e këtij institucioni.
“Po, më 27 mars na skadon mandati. Natyrisht se do kisha pas dëshirë të vazhdoj meqë kemi pasur sukses, kemi qenë një institucion i suksesshëm. Kemi organizuar shumë palë zgjedhje dhe natyrisht do të kishte me qenë nder me vazhdu mandatin”, tha Daka, për Kallxo.com.
Daka tha se ajo pret që Presidenca e Kosovës ta emërojë edhe për një mandat si kryetare e KQZ-së.
“Duke u bazuar në atë që institucioni i KQZ-së tashmë gati 5 vite ka qenë i suksesshëm dhe se e kemi kryer punën që e kemi kryer në mandatin tonë që e kemi kushtetues unë pres por natyrisht që kjo pritje dhe ato që vijnë nuk janë gjithmonë në përputhje”, deklaroi Daka.
Në maj të vitit 2017 portali kishte raportuar për përfundimin e mandatit pesë vjeçar të kryesuese së KQZ-së, Valdete Daka. Mandati i saj skadonte pikërisht në kohën kur ishin caktuar të mbaheshin zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë, në qershor të vitit 2017.
Por kjo situatë, kishte shtyrë aso kohe Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi t’ia vazhdojë mandatin kryesueses Daka për 90 ditë pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve lokale.
Daka tha se është sfidë të udhëheqësh KQZ-së duke përmendur kështu që prej se drejton këtë institucion ajo ka organizuar tri palë zgjedhje të jashtëzakonshme.
Ndërsa Zyra për Informim e Presidencës tha se fillimisht do të bëhet emërimi i kryesuesit të KQZ-së pastaj të anëtarëve të tij, por nuk dha datë se kur do të ndodh ky emërim.
“Presidenti i Republikës së Kosovës, në pajtim me afatet ligjore, fillimisht do të bëjë emërimin e kryetarit apo kryetares së KQZ–së dhe pastaj do të vazhdojë me emërimin e anëtarëve të KQZ-së, duke u bazuar në legjislacionin përkatës në fuqi. Kurdo që të merren vendime, do të informoheni”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për Informim të Presidencës së Kosovës.
Anëtarët në largim presin nominimet e Grupeve Parlamentare
Përveç kryesuese Valdete Daka, mandati u skadon edhe anëtarëve të tjerë të KQZ-së.
Disa nga anëtarët e KQZ-së thanë se është çështje e grupeve parlamentare të subjekteve prej nga vijnë për nominim të anëtarëve të rinj për Komisionin Qendror Zgjedhor.
“Po jemi në ditët e fundit të mandatit. Se a do të jem kandidat vendos Grupi Parlamentar (PDK)”, tha anëtari në largim i KQZ-së Betim Gjoshi, i cili përfaqëson PDK-në.
E bashkëpartiaku i tij nga PDK, Ilir Gashi tha për Kallxo.com se grupet parlamentare shumë shpejt do t’i dërgojnë emrat e të nominuarve në Presidencë.
“Shpejt grupet parlamentare i dërgojnë nominimet te Presidenti dhe kjo varet nga grupet parlamentare jo nga ne”, tha Gashi.
Anëtari i KQZ-së nga LDK, Sami Hamiti, tha se Presidenca ende nuk ka kërkuar nga subjektet politike t’i dërgojnë nominimet për anëtarë të KQZ-së.
Se a do të jenë pjesë e KQZ-së, nuk e kanë të ditur as anëtarët nga komunitetet pakicë në Kosovë.
“Presim që grupet parlamentare të dërgojnë nominimet dhe kjo varet se këndë nominojnë ata. Pastaj bëhet betimi të Presidenti”, tha Ercan Spat nga komuniteti turk.
Rinominimin e tij nuk e di as anëtari tjetër në largim Ergit Qeli nga komuniteti egjiptian.
“Siç jeni të informuar ne jemi në përfundim të mandatit, për anëtarin e ardhshëm vendosin grupet parlamentare”, tha Qeli.
Të korra me inteligjencë artificiale, teknologjia e re që po...
Kryediplomati i ardhshëm amerikan, Marco Rubio dhe politika ...
Albin Kurti takon Lorik Canën: Vlerësuam rëndësinë e masiviz...
Arrestohet shqiptarja në Londër, mori pjesë në protestat pro...
Supergol nga Granit Xhaka, vulos fitoren e Leverkusen
Zbulohet data e fillimit të edicionit të katërt të “BBVA”