Google ADS

Të kthyer nga azili; Historia familjes që ëndërron të rikthehet sërish në Gjermani

22:57 | 25 Mars 2018
Trina Galanxhi

Tre vjet me parë familja Greva me 6 anëtarë u nis për të kërkuar azil në Gjermani. Peripecitë zgjaten 40 orë dhe pasi jetuan në kushte të vështira, u sistemuan në një shtëpi të shërbimit social.

Por autoritetet i dëbuan dhe i sollën në Shqipëri. Familja është sistemuar në Tiranë, por ëndërr ka sërish Gjermaninë.

Asja dhe Naisa janë motra dhe nxënëse në shkollën 9-vjeçare “Misto Mame”, në kryeqytet. Asja është në klasën e 9, ndërsa Naisa në klasën e 6. Në verën e vitit 2015, prindërit ju thanë se do të shkonin në Gjermani për një të ardhme më të mirë.

“Janë momente që nuk duam t’i kujtojmë me thënë të drejtën, por u mërzitëm shumë. Kur shkuam në kamp, ndiheshim ashtu si ishim, të huaj”, thonë dy motrat.

Dy vajzat kanë edhe një vëlla dhe një motër më të madhe. Familja me 6 anëtarë u nis me makinë për në Gjermani, duke udhëtuar përreth 40 orë nëpër shtete të ndryshme.

“Atje zumë shumë shoqe të reja dhe stafi i mësuesve ishte shumë mikpritës. Kemi ende kontakte me shoqërinë që krijuam atje”, thotë vajzat.
Babai i vajzave, Genci ish oficer policie tregon se në 2015-ën mbeti pa punë.

“Kemi ndenjur gati dy muaj në kam që ishte një pjesë shumë e vështirë, pasi duhet të ndanim hapësirën e vogël me njerëz që nuk i njihnim, nga vende të ndryshme të botës”, tha Genci.

Pas 2 muajve u sistemuan në një shtëpi nga shërbimi social, në Altena, afër Dortmundit.

“Dëshira për të jetuar, më dha forcë të bëja çfarëdo lloj pune”, u shpreh Genci.

Genci nuk kishte një zanat, megjithatë nisi të pastronte fasada ndërtesash, madje bëri edhe një kurs profesional. Ndërsa e shoqja bënte praktikë në një azil. Paralelisht të dy mësonin gjermanisht. Punët po shkonin mirë, derisa një ditë, në 4 të mëngjesit trokiti dera.

“Ishte ora 4 e mëngjesit, kur erdhi policia në shtëpi dhe më tha se ti ke të drejtë të qëndrosh në Gjermani, ndërsa familja juaj duhet të largohet”, tregon Genci.

Por çfarë u bëri përshtypje nga vendi i huaj?

“Edukata, respekti për njëri-tjetrin, ngrohtësia dhe mikpritja e tyre”, thonë Asja dhe Naisa.

Sot Genci dhe bashkëshortja janë të dy në punë e fëmijët nëpër shkolla, me ëndrrën për t’u kthyer në tokën që e prekën një herë./TCH/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme