Taksa për Rrugën e Kombit, Rama merr goditje edhe nga deputetët e partisë së tij

22:23 | 25 Mars 2018
Trina Galanxhi

Që Rruga e Kombit do të bëhet me pagesë, kjo mbetet vetëm çështje kohe, pasi gjatë ditës së sotme, 25 mars 2018, nisi testimi i sistemit të tarifimit për automjetet që hyjnë dhe dalin nga Shqipëria përmes kësaj rruge që na lidh me Kosovën.

Por veç kundërshtisë masive në radhët e qytetarëve, politikanëve brenda Shqipërie dhe përtej kufirit në Kosovë, ky vendim i qeverisë së kryeministrit Edi Rama, ka ngjallur revoltë edhe vetë brenda socialistëve.

Deputeti i Partisë Socialiste Pjerin Ndreu, partisë së kryesuar nga Edi Rama, kreu i qeverisë shqiptare, e ka vlerësuar shumë të lartë tarifën e kalimit në Rrugën e Kombit. “Edhe mua nuk më pëlqen aspak ajo tarifë e kalimit në Rrugën e Kombit, është e lartë!”, – shkruan Ndreu në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook.

Të gjitha automjetet që do të kalojnë në rrugën e Kombit, do të jenë të detyruara të paguajnë pranë tunelit, taksën e cila varion nga 2.5 euro për motorët, 5 për autoveturat e deri në 22.5 euro për kamionët e tonazhit të rëndë. Por kjo vlerë shumëzohet për dy, pasi paguhet edhe në dalje edhe në hyrje të Shqipërisë.

 Reagim i fortë ishte edhe ai i kreu i grupit parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili, i cili ndër të tjera i bëri thirrje shqiptarëve ta refuzojnë pagesën e kësaj takse.

Ndërkohë, në statusin e tij në Facebook, deputeti Ndreu vijon më tej sulmin e tij ndaj opozitës, dhe faktit që ajo ka reaguar duke kundërshtuar taksën për kalimin në Rrugën e Kombit.

“Por Lulzim Basha me Sali Berishen e ca buburrecë, derivat të tyre, të jua kursejnë shqiptarëve “irritimin” gjoja se po mbrojnë shqiptarët. Janë ata strumullarët e vjedhjes jo pak, por të 230 milion dollarëve. Janë deformuesit e një projekti që besoj e sheh me sy gjithkush që kalon në atë rrugë. Ju ka ardh goja hajdutëve e kërkojnë drejtësi. Me këta lloj njerëzish ky vend prek fundin. Ata që janë shkaku i zullumit, ata bërtasin për pasojën që vetë e kanë prodhuar!”, shkruan deputeti socialist.

Mirëmbajtja e Rrugës së Kombit është dhënë me koncension, dhe kompania që do të vjelë taksën thotë se do të ketë lehtësira për banorët e zonës dhe mjetet që udhëtojnë më shpesh në këtë rrugë.

Koncensionari thotë se synon të sigurojë mirëmbajtjen e këtij aksi rrugor, por qytetarët shqiptarë dhe ata të Kosovës thonë se tarifa është shumë e lartë.

Të ngjashme