Mbyllet për qarkullim rruga Mitrovicë – Bajgorë, ka rrëshqitje të gurëve dhe dheut

19:58 | 25 Mars 2018
Arbresh.info

Banorët e Shalës së Bajgorës janë ‘ngujuar’ nga rrëshqitja e dheut në Stan Tërg, afër minierës së Trepçës.

Pas problemeve të përsëritura me rrugën R-129, Mitrovicë – Bajgorë dhe pas sugjerimeve nga përgjegjësit që po e monitorojnë situatën, Ministria e Infrastrukturës ka vendosur që të ndërpritet qarkullimi për automjete në këtë rrugë.

Vendimin për bllokimin e qarkullimit në këtë rrugë e ka marrë ministri Pal Lekaj, i cili ka thënë se pas sugjerimeve nga monitoruesit, e ka marrë këtë vendim..

Sipas tij, ky vendim është bërë për shkak të sigurisë, dhe ai shtoi se ky vendim do të jetë në fuqi sot dhe nesër.

“Në rrugën R129 (Mitrovicë – Bajgorë), lokacionin Stan – Tërg, ka pasur rrëshqitje të masivëve të gurëve dhe dheut, për siguri në komunikacion kemi vendosur që rruga të bllokohet sonte gjatë gjithë natës dhe nesër gjatë paradites”, ka shkruar Lekaj.Ndërkaq, ai ka bërë të ditur se kompania e mirëmbajtjes do të dërgojë mjetet që ta pastrojë këtë rrugë, mirëpo edhe ai ka potencuar se rrëshqitjet janë masive dhe ka rrezik të vazhdueshëm.

Lekaj, me këtë rast, ka kërkuar mirëkuptim nga qytetarët, të cilët do të mbesin pa lëvizje në atë pjesë mjaft të izoluar, duke ditur se aktivitetet e tyre e kryejnë kryesisht në Mitrovicë.

Ndryshe, rrëshqitja e dheut në këtë pjesë nuk është gjë e re. Hiç më larg se para dy javës rruga e njëjtë u bllokua nga rrëshqitjet e dheut, mirëpo këtë radhë aty kanë rrëshqitur edhe masive gurësh. /Telegrafi/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme