Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në një tubim me aktivistët Vetëvendosjes në Prishtinë ka thënë se drejtësia nuk do të vendosët asnjëherë nëse sipas tij nuk bëjnë një opozitë të fortë dhe të pa kompromentuar.
“Por drejtësia nuk do të vendoset asnjëherë nëse nuk e bëjmë një opozitë të fortë dhe të pakompromentuar, e të gjithë e dimë se i vetmi subjekt që e bën një opozitë të tillë është Lëvizja VETËVENDOSJE!”, ka thënë Kurti para të pranishmëve.
Fjalimi i plotë i Kurtit
Të dashur aktiviste dhe aktivistë të Qendrës së Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Prishtinë,
Të nderuar të pranishëm,
Nuk ka Kosovë të fortë, pa u ndërtuar shteti e institucionet ashtu siç duhet.
Nuk ndërtohet shteti dhe institucionet, pa u vendosur drejtësia dhe pa u dënuar këta kriminelë që sundojnë mbi biznesin, median dhe politikën.
Por drejtësia nuk do të vendoset asnjëherë nëse nuk e bëjmë një opozitë të fortë dhe të pakompromentuar, e të gjithë e dimë se i vetmi subjekt që e bën një opozitë të tillë është Lëvizja VETËVENDOSJE!.
Duhet ta forcojmë VETËVENDOSJE!-n si opozitë, që të mund ta sjellim nesër VETËVENDOSJE!-n në pushtet.
Prishtina është kryeqyteti i Kosovës, këtu janë shumica e institucioneve qendrore, këtu jetojnë të gjithë pushtetarët abuzivë, hajnat, kriminelët, ata që na vjedhin me supermarketet e mbushura plot me importe të rrezikshme për shëndetin tonë personal por edhe për shëndetin e ekonomisë tonë kombëtare.
Prandaj, në Prishtinë edhe ushtrohet veprimtaria jonë më e madhe politike. Këtu na duhet t´i organizojmë aktivitetet dhe aksionet, protestuese apo simbolike, këtu ballafaqohemi me pushtetin, prandaj këtu duhet ta dëshmojmë se jemi të shumtë në indinjatën tonë, por edhe të fortë në alternativën tonë.
Për ta bërë këtë, na duhet një qendër shumë e fuqishme në Prishtinë. E qendra forcohet vetëm duke ia nisur prej pikës.
Pikat e Prishtinës duhet të jenë secila veç e veç, më aktive sesa çdo biznes apo shoqëri civile që vepron në lagjen e tyre. Ato duhet të jenë adresë për secilin qytetar, por njëkohësisht udhëheqësit dhe aktivistët e pikave, duhet t´ia dinë adresën secilit qytetar.
Pikat duhet t´i mësojnë se cilat janë problemet e banorëve të lagjeve, edhe si komunitet, pra nevojat e përbashkëta për rrugë, trotuare, semafora, zebra, lulishte, çerdhe, terrene sportive, shkolla, por edhe për problemet sociale. Ne duhet ta dimë për qytetarët të cilët janë në gjendje shumë të vështirë ekonomike, që të angazhohemi maksimalisht e t´u ndihmojmë atyre. Ndihmën që qytetarit sot nuk ia jep shteti i djathtë e i kapur e i korruptuar, duhet ta japim ne, me solidaritetin tonë.
Forcimi i pikave do të jetë synimi ynë urgjent, për të cilin e kemi vendosur që ta nisim një proces që do të na çojë deri në zgjedhjet për qendrën. Në krye të këtij procesi, deri në zgjedhje, në krye të qendrës do të jetë si koordinator doktor Arbeni, Beni, Arben Vitia.
Arben Vitinë e kemi zgjedhur si kryesi sepse është një njeri i thjeshtë e i ndershëm, komunikues e i ditur, dhe shumë punëtor. Nuk kemi dashur të vendosim në krye të këtij procesi ndonjë person i cili vuan nga mendjemadhësia apo nga komplekse të tjera. Arben Vitia është aktivist i kahmotshëm i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, dhe kushdo që e njeh, brenda apo jashtë Lëvizjes, ka vetëm fjalë të mira për të. Arben Vitia ka qenë drejtues i Komitetit tonë për Shëndetësi, dhe ka ndihmuar në hartimin e programit dhe alternativës tonë qeverisëse për Shëndetësinë. Më pas, në pesë vitet e fundit, ai ka qenë dhe ende është Drejtor i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës. Si drejtor ai ka marrë lavdërime nga institucionet, mediet, por sidomos nga qytetarët. Sepse Arbeni nuk është fokusuar shumë tek marketingu, por tek puna konkrete. Nën drejtimin e tij, shërbimi shëndetësor dhe qendrat e mjekësisë në Prishtinë e kanë ndërruar krejt pamjen dhe sot i përngjajnë klinikave të vendeve më të zhvilluara të Evropës. Kështu QKUK-ja është keq, por ajo duket posaçërisht keq kur shkon te QMF-të në Prishtinë.
Arbeni ka qenë pjesë e një ekipi që me sakrificë e shumë punë sollën ndryshime të mëdha në Prishtinë, ekip ku përfshihet Liburn Aliu, i cili vendosi standard e rregull në planin urban të Prishtinës, Hysen Durmishi i cili shtroi me qindra kilometra rrugë e trotuare, në lagje e në fshatra, Arbërie Nagavci e cila vendosi standardin e vlerësimit profesional të mësuesve dhe eliminimin e punësimit me të njofshëm nëpër shkolla, Xhelal Sveçla e Salih Zyba të cilët në krye të inspektoriatit zmbrapsën mafian ndërtimore dhe vendosën zbatimin e ligjit në subjektet afariste, Nora Kelmendi me punën e saj të palodhur dhe të pakompromis në drejtimin e kadastrës, Saranda Bogujevci e cila ia ka hapur derën e komunës artistëve e njerëzve të kulturës, dhe Fitore Pacolli e cila ka drejtuar kabinetin e kryetarit të komunës, duke koordinuar projektet mes drejtorive. Këta emra kanë marrë vlerësime të mëdha, dhe kanë qenë fytyra e suksesit në mandatin e parë të fituar nga VETËVENDOSJE! në Prishtinë. Që të gjithë këta, porsa garuan për deputetë, fituan: në legjislaturën e gjashtë të Kosovës të gjithë janë përfaqësues të popullit: Arbëria, Xhelali, Fitorja, Salihu, Saranda dhe Liburni.
Por, sot gjendemi në rrethana të tjera. Fitorja jonë për herën e dytë, e cila u arrit duke u bazuar në punën e madhe të këtyre që përmenda, por edhe në angazhimin e palodhur të mijëra aktivistëve, një pjesë të të cilëve po e shoh që jemi edhe këtu në këtë sallë, nuk u respektua. Lëvizja ka marrë më pak pjesë në qeverisjen lokale se sa që i takon, qoftë edhe proporcionalisht.
Kjo nuk na jep garanci për cilësinë e punës dhe për përkushtimin në punë, dhe na bën të mos ndihemi të përfaqësuar siç duhet, edhe pse kemi fituar. Megjithatë, ka edhe rrugë të tjera për të arritur synimet tona, zgjidhjen e problemeve, përparimin e komunitetit dhe të qytetit. E ato rrugë nisin pikërisht nga forcimi i organizatës sonë. Me Arben Vitinë si koordinator, me angazhimin e aktivistëve tanë më të mirë e më punëtorë në terren e nëpër pika, me shumë aktivitete e shumë kreativitet, me mbështetjen e gjithë Lëvizjes, ne brenda vitit 2018 do ta dyfishojmë organizatën tonë në Prishtinë.
Në kohët e fundit ka përfaqësues e zyrtarë të Lëvizjes që janë larguar nga Lëvizja, kanë dalur prej saj, mirëpo edhe shumë më tepër aktivistë kanë ardhur në Lëvizje. Pas dyfishimit të qershorit në vitin e kaluar dhe fitores edhe në Prizren përveçse konfirmimit në Prishtinë, ne i kemi pritur goditjet e këtilla. Mund të jemi befasuar me ndonjë individ, por jo me dukurinë e goditjes kundër VETËVENDOSJE!-s. Veçse të gjithë ne e dimë se individët e përbjënë fitoren, individët nuk e bëjnë fitoren. Fitoren e bën Lëvizja, fitoren e bëni ju aktivistë, e bëjnë qytetarët e kryeqytetit e të gjitha komunave anembanë Kosovës, fitoren e bëjnë masat e populli i vendit tonë.
Me Arben Vitinë si koordinator, me angazhimin e aktivistëve tanë më të mirë e më punëtorë në terren e nëpër pika, ne jemi të bindur që do të shkojmë fuqishëm në zgjedhjet e brendshme me një qartësi të madhe për të ardhmen, duke ndërtuar një alternativë fituese, e cila kësaj radhe nuk do të jetë projekt vetjak, por do të jetë fitore e jona kolektive, besnike e qytetarëve, e votuesve dhe e aktivistëve.
Të gjithë ne, bashkë, kemi nevojë për Arben Vitinë, por Arben Vitia apo Beni, siç e thërrasim të gjithë ne, ka nevojë për secilin prej neve.
Ju falemnderit, e mirupafshim, gjithnjë e më shpesh gjithandej komunës.
Galaxy S25 Slim mund të vijë me një përmirësim të kamerës
Musliu në Köln të Gjermanisë: Përkrahja juaj është fitorja j...
Astrit Selmani gjen sërish golin dhe vazhdon me formë të lar...
Në prag të protestës së 26 nëntorit, Berisha: Nesër do të kr...
Ciolacu prin në zgjedhjet presidenciale të Rumanisë, sipas s...
Kurti pret nesër në takim kryetarin e Kuvendit të RMV-së, Af...