Google ADS

Mushkolaj: Asociacioni të themelohet, por pa kompetenca ekzekutive

15:17 | 24 Mars 2018
Arbresh.info

Asociacioni i Komunave me shumicë serbe duhet të themelohet sipas Kushtetutës së  Republikës së Kosovës. Kjo është temë e cila duhet trajtuar me shumë kujdes, ndërsa nuk duhet të ketë assesi kompetenca ekzekutive. Kështu vlerësojnë zyrtarë të partive politike, si dhe njohës të kësaj fushe.

Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, ka potencuar se Asociacioni është temë e cila duhet të trajtohet me kujdes.

Sipas tij, askush s’duhet të pretendojë të bëjë shtet brenda Kosovës përmes këtij organizmi, i cili s’duhet të jetë asgjë më shumë se një organizatë joqeveritare.

“Dialogu është i pa alternativë. Duhet të agjendohet me tema, afate dhe me kushtin kryesor, përkatësisht njohjen reciproke. Asociacioni është temë e cila duhet të trajtohet me kujdes dhe kurdo që të ndodhë të jetë sipas kushtetutës së Republikës së Kosovës.  Mbi të gjitha, askush s’duhet të pretendojë të bëjë shtet brenda Kosovës përmes këtij organizmi i cili s’duhet të jetë asgjë më shumë se sa një organizatë joqeveritare”, ka thënë Lekaj.

Edhe njohësi i kësaj fushe Imer Mushkolaj, ka bërë të ditur se Brukselit duhet t’i bëhet e qartë se Asociacioni duhet të krijohet sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese.

“Themelimi i Asociacionit është përgjegjësi e institucioneve të Kosovës dhe duhet të ndodhë. ështja është se si do të krijohet dhe çfarë kompetencash do të ketë. Institucionet e vendit nuk duhet të pranojnë që të ketë kompetenca ekzekutive dhe Brukselit duhet t’i bëhet e qartë se do të krijohet sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese”, u shpreh Mushkolaj.

Ndryshe, themelimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe i është kërkuar Kosovës gjatë takimit të zhvilluar në mes të dy presidentëve në Bruksel. /Telegrafi/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme