Prokuroria interviston edhe ministra për dyshimet rreth privatizimit të KEDS-it

14:32 | 24 Mars 2018
Arbresh.info

Prokuroria Speciale ende nuk e ka nxjerrë vendimin për fillimin e hetimeve për privatizimin tinëzar të 4 hidrocentraleve së bashku me distribucionin dhe furnizimin. Deri më tani, Prokuroria Speciale në fazën para-hetimore ka intervistuar 20 dëshmitarë, por ende nuk ka të dyshuar ndaj të cilëve do të fillojnë hetimet. Në mesin e të intervistuarve ka edhe ministra.

Faza e para-hetimeve kishte nisur në vitin 2016, ndërsa konfirmimi zyrtar ishte dhënë për herë të parë në muajin mars të vitit 2017.

“Policia e Kosovës është në fazën e fundit të sigurimit të informatave të nevojshme, për rastin KEDS”, ka thënë zëdhënësi i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Ekrem Lutfiu.

Ai ka thënë se ende nuk ka vendim të hetimeve, përkundër që janë intervistuar 20 dëshmitarë.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ende nuk ka marrë aktvendim për fillimin e hetimeve kundër ndonjë personi. Deri më tani janë dëgjuar mbi 20 dëshmitarë dhe siguruar shkresa të ndryshme”, tha Lutfiu për Gazetën JnK.

Rasti i hetimit të privatizimit të hidrocentraleve është përmendur edhe nga kryeprokurori i shtetit, Aleksandër Lumezi në Emisionin ‘Jeta në Kosovë’

Ai nuk kishte dhënë shumë detaje, por e kishte konfirmuar se Prokuroria Speciale ka nisur grumbullimin e informatave për këtë rast pas raportimit në media. Për herë të parë hulumtimi për privatizimin tinëzar të hidrocentraleve ishte publikuar në Gazetën “Koha Ditore”.

Katër hidrocentrale ishin privatizuar bashkë me distribucionin dhe furnizimin me energji elektrike. Përfshirja e tyre në pakon tenderuese ishte mbajtur e fshehtë, ndërsa edhe ministrat që kanë marrë vendimet kryesore për privatizim kanë deklaruar se nuk kanë qenë të informuar se në pako është përfshirë edhe shitja e hidrocentraleve.

Katër hidrocentrale janë shitur së bashku me KEDS-in: hidrocentrali i Dikancës, hidrocentrali i Burimit, ai i Radavcit dhe Lumbardhit. Ato janë dhënë me koncesion nga KEK-u me qëllim të rivitalizimit të tyre dhe rritjes së kapaciteteve prodhuese. Në kohën kur janë dhënë me qira, sipas KEK-ut, ato kanë pasur një kapacitet të instaluar prej 11 megavatëve, mirëpo koncesionarët janë zotuar se pas investimeve që do të bëjnë kapaciteti i tyre do të rritej në 14 megavatë. Nëse shihen komunikatat e lëshuara nga KEK-u, në kohën e dhënies së këtyre hidrocentraleve me koncesion, atëherë del që në to është dashur të investohen 15 milionë euro.

Më parë ishte raportuar se hidrocentralet ishin pjesë e listës së aseteve, mirëpo ishin shkruar vetëm pjesët përbërëse të hidrocentraleve. Gazeta Jeta në Kosovë e ka analizuar listën e aseteve, vetëm te pjesa e hidrocentraleve.

Në listën e gjatë të aseteve janë futur edhe pjesët përbërëse të hidrocentraleve. Në tërë listën e gjatë të aseteve vetëm në një vend shkruan “HCV”, që është akronim për “Hidrocentralet e Vogla”. Në asnjë vend tjetër të kësaj liste nuk figuron fjala hidrocentral.

I pari në listë është hidrocentrali i Lumbardhit. I njëjti është pjesë e regjionit të Pejës. Aty figuron: mbledhësi i lymit, gypsjellësi 1.15 m3/s, gypsjellësi 1050 m, 177.30 m, me pajisje përcjellëse, shtëpiza e kozhnjerit me material të fortë etj. Këto janë disa prej aseteve që e përbëjnë një hidrocentral. Asetet e këtij hidrocentrali janë nga numri rendor 109 deri në 1035.

Pas tij është hidrocentrali i Burimit, që po ashtu është në regjionin e Pejës. Asetet e këtij hidrocentrali janë nga numri rendor: 1,036 deri në numër 1045. Në listën e aseteve të këtij hidrocentrali është: Kaptazha e ujit, kanali i hapur, liqeni artificial me pajisje përcjellëse, gypsjellësi i metalit, rrjeti i turbinës me pajisje përcjellëse, ndërtesa e materialit të fort etj.

Pastaj, është hidrocentrali i Radavcit që vjen nga numri 1046 deri 1054. Edhe në listën e aseteve të këtij hidrocentrali figuron liqeni artificial, si dhe ndërtesat dhe gypsjellësit tjerë.

Gazeta JnK ka raportuar për investimet që janë bërë në këto hidrocentrale në të kaluarën.

 

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme