Në kuadër të manifestimit qendror “Epopeja e Dukagjinit”, kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, sot ka bërë homazhe në Kompleksin Memorial në Gllogjan dhe mori pjesë në Akademinë Përkujtimore kushtuar të gjithë dëshmorëve dhe të rënëve për liri, transmeton arbresh.info.
Në këtë manifestim ku të pranishëm ishin përfaqësues të institucioneve të Kosovës, luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe qytetarë të shumtë, kryeministri Haradinaj tha se rrethimi që ka ndodhur në Gllogjan në atë kohë nuk ka qenë i lehtë, por është gjetur një dalje, e dalja është gjetur sepse e kemi dashur jetën e kemi dashur lirinë.
Para të pranishmëve të shumë në këtë Akademi Përkujtimore folën edhe kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, zëvendëskryeministri Fatmir Limaj, Rifat Jashari, vëllai i komandantit legjendar Adem Jashari.
Fjala e plotë e kryeministrit Haradinaj në Akademi:
Baca Rifat më herët thash ku je ti është Shqipëria. Po të mos ishte Prekazi, 5, 6 dhe 7 marsi, ndoshta na kishte shkuar mendja të gjithëve t’i marrim leqet, por nuk na latë rrugë tjetër vetëm t’i ngulim këmbët dhe na detyruat, ndera ju rritë.
Shembulli juaj, i familjes Jashari, nuk i la rrugë tjetër asnjë shqiptari, përveç me luftua deri në liri. Ky shembull i forcoi shqiptarët kudo që ishin, por edhe botën e përparuar liridashëse, dhe u bënë me ne.
Tani historia jonë e shqiptarëve është rrethim e çarje rrethimesh nëpër shekuj. Nganjëherë na kanë rrethuar shumë rënesh, nganjëherë një rend, shumë gjatë ka ndodhur të rrethuar e nuk ka dal askush në ndihmë. Por, ky brezi ynë jemi me fat që na doli në ndihmë NATO. Ne që kemi luftuar, që kemi qenë në ngjarjen e luftës e dimë se çka do të thotë kjo ndihmë. Nuk jemi nga ata që nuk e dimë rolin e komandantit legjendar Adem Jashari, të familjes, bashkëluftëtarëve të tjerë kudo që janë shqiptarët. Por, duke qenë ata e dimë se sa e rëndësishme ka qenë ndihma e NATO-s e prirë nga Amerika.
Shqiptarët në traditën e tyre e kanë “ai që të është gjendur në rrethim, ta ka qel rrethimin për të mos ia humbur kurrë dhe ne nuk do ta harrojmë kurrë këtë ndihmë atyre”.
Unë sot ju falënderojë të gjithë juve, falënderojë familjet e dëshmorëve, bashkëluftëtarët e gjallë, familjet e martirëve, komandantët e luftës së UÇK-së që i shoh shumë këtu, kolegë të institucioneve, forcën tonë, ushtrinë tonë, policinë, të gjithë ju që jeni këtu.
Rrethimi ynë që na kishte ndodhur në Gllogjan në atë kohë nuk ka qenë i lehtë, por është gjetur një dalje, e dalja është gjetur sepse e kemi dashur jetën e kemi dashur lirinë. Po atë ditë tre djemtë tanë kanë rënë për liri. E pashë bacën Nimon, bacën Hysen e shoh nganjëherë Rasimin, tre djemtë e tyre kanë rënë më 24 mars.
Në rrugën tonë deri në liri kemi parë gjithë ato tmerre që i ka lufta, kemi parë trimëri që nuk përshkruhet e djem të zotë prej atyre që nuk janë të gjallë, por edhe prej të gjallëve.
Por ajo që kemi parë është një fuqi e madhe e njeriut të kësaj toke për të mbetur të lidhur me këtë tokë, për të mos e harruar dhe për të mos e lëshuar këtë tokë.
Këtë e kemi parë edhe pas qershorit 1999 kur është kthyer populli. Është diçka që ka befasuar gjithë botën. Kanë pritur plotë që nuk do të kthehen shqiptarët në vendin e vet. Por janë kthyer të gjithë.
Pse po i jap peshë kësaj. E kemi pasur një rrethim që tre vjet, populli jonë, ka qenë në rrethim. E gjithë bota ka lëvizur lirshëm, e gjithë Evropa, fqinjët tanë, vetëm ne të rrethuar.Për ta qarë atë rrethim, kam parë njerëzit e mi duke pritur para ambasadave dhe më ka ardhur keq dhe nuk kam dashur që ta hapë rrethimin sikur në kohërat e vështira kur e kishim popullin civil me ne e me e humb luftën. I kemi rënë të tëra rrugët.
Kemi shkuar nëpër miq, kemi folur ndërmjet vete, sikur vëllezër që jemi të këtij vendi, që edhe me e çlirua njeriun tënd, pra me fitua të drejtën me lëviz lirshëm, por edhe e ruajtur të drejtën në tokën tonë, e me e ruajt të drejtën për Çakorr, Kullë, ashtu siç ka qenë më herët.
Kjo nuk është bërë duke mashtruar askënd, as vendorët as ata të jashtëm. Edhe Mali i Zi edhe ne, i kemi ndarë drejtimet dhe ato janë euroatlantike dhe dëshirojmë të hymë në Evropë, në NATO. Mali i Zi ka hyrë në NATO dhe është në të mirën tonë, shqiptarëve, Shqipëria është në NATO dhe edhe ne kemi për të hyrë në NATO.
Sot, kur është vështirë dhe është rëndë, ka shumë që heqin dorë, ka të tjerë që vijnë për kryeshnosh. Nuk jemi ne për kryeshnosh, Kosova, shqiptarët. Mos ta harrojë askush këtë.
Ka filluar mijëvjeçari i ri, i shqiptarëve. Jemi në shekullin e parë, jemi në nisje, jemi të lirë, jemi duke u bashkuar me familjen tonë, të popujve të lirë dhe, në këtë rrugë do të ketë teposhtëze dhe përpjetëze, por ne nuk do të ndalemi, sepse e dimë për ku jemi nisur.
Jemi nisur për të qenë të lirë, për të gëzuar të drejtën tonë, në tokën tonë dhe për t’i takuar popujve të lirë.
Askush më nuk ka për të mundur që të robërojë shqiptarët.
Ka edhe diçka dhe këtë e them ashtu siç fola edhe për NATO-n. Populli, njerëzit më kanë thënë, paska Zot, që me 24 mars ’99 kur e na dëgjuar zhurmën në qiell, paska zot për NATO-n.
Shqiptarët janë popull që dinë me i ruajtur ata që jetojnë me ta.
Kurrë nuk ka ndodhë në të kaluarën, në historinë e shqiptarëve, që shqiptari me shkelë, me poshtërua, me i bë çkado qoftë të keqe atyre që kanë jetuar me ne, komuniteteve.
Brez pas brezi, nuk ka askush që ka ditur të sillet më mirë se shqiptari me ata që jetojnë me ne.
Të gjithë ata që jetojnë në Kosovë, shqiptarët, komunitetet, edhe serbët, edhe turqit, romët, ashkalinjtë, egjiptasë, goranë, janë në vendin e vet, në shtëpinë e vet.
Kjo është toka jonë, ky është vendi ynë.
Kosova e pavarur e sovrane, me ushtrinë e vet, anëtare e BE-së, e NATO-s, nuk është rrezik për askënd që jeton në këtë tokë, është vetëm ndihmë për të shkuar kah më shumë siguri dhe kah më shumë zhvillim.
Ne dëshirojmë që të shkojmë kësaj rruge bashkë.
Pra, porosia më e mirë që u tha sot, është, me qenë bashkë dhe për punët e mira të këtij vendi s’kemi mu ndal.
Të nderuar kolegë, familje të dëshmorëve, të gjithë këtu, faleminderit për nderin që i bëni Gllogjanit e Dukagjinit me ardhjen tuaj.
Baca Rifat ndera ju rrit, lavdi dëshmorëve./arbresh.info/
T’i mbijetosh dimrit me vitaminën D
Tiranë/ Policia operacion kundër lojërave të fatit, kapen di...
OKB: Viti 2024 më vdekjeprurësi për punonjësit e ndihmave hu...
Deklaratat befasuese të Oltës dhe Milaimit rreth afërsisë me...
KEK-u deklaron se performanca e këtij viti është dukshëm më ...
Sara apo Edi: Cili nga këta dy banorë e ngjalli Drilonin në ...