Mungesa e barnave të regjistruara në tregun farmaceutik të Kosovës është një nga problemet, me të cilat ballafaqohen qytetarët. Si rrjedhojë, pacientët përballen me mungesë të barnave që i përdorin si terapi ditore.
Alternativë tjetër e që është aktualizuar kohët e fundit, është edhe blerja e barnave online. Ato mund t’i porosisë secili qytetar përmes ndonjë faqe të internetit dhe porosinë zakonisht e marrin në shtëpi.
Por, sa janë të sigurta këto barna?
Një qytetar, Bekim Kupina, thotë se tregu i barnave mbetet i pasigurt edhe kur barnat blihet nëpër barnatore, e lëre më nëse ato sigurohen nga prodhues të panjohur dhe shitës përmes platformave të ndryshme në internet dhe rrjeteve sociale.
“Unë, personalisht, nuk jam shërbyer me barna të tilla se nuk ndihem i sigurt. Mendoj se as këto barna që janë në tregun farmaceutik të Kosovës, nuk ofrojnë ndonjë siguri maksimale për mua si qytetar i këtij vendi. Në anën tjetër, duke e ditur të dhënën që nuk ka ndonjë siguri të madhe të kontrollit të këtyre barnave, gjithsesi i shmangem në çdo version blerjes së barnave online”.
“Mendoj se duhet të shërbehemi, megjithatë, me barnat në tregun tonë, ndonëse ende ka dilema se a kalojnë nëpër filtra të kontrollit të duhur. Emira e së mirës do të ishte të mos kemi nevojë fare për to”, thotëKupina.
Për shitjen e barnave online, këshilltari i ministrit të Shëndetësisë, Albatrit Matoshi, thotë se kjo çështje parashihet të rregullohen në të ardhmen pas funksionalizimit të Sistemit të Informimit Shëndetësor, kur do të krijohej edhe receta elektronike. Tash për tash ai thotë se qytetarët duhet kenë kujdes me përdorimin e këtyre barnave pasi ato nuk janë të kontrolluara.
“Shitjet on-line tash për tash janë të ndaluara dhe Agjencia Kosovare për Produkte Medicinale( AKPM), u ka bërë thirrje edhe më herët qytetarëve që të mos blejnë në këtë formë. Kurse, efektet anësore të barnave që janë në tregun kosovar, monitorohen përmes Departamentit të farmakovigjilencës së AKPM-së . Shitjet online parashihet të rregullohen në të ardhmen pas funksionalizimit te Sistemit të Informimit Shëndetësor, kur do të krijohej edhe receta elektronike. Tash për tash janë të ndaluara dhe qytetarët nuk duhet të mashtrohen nga këta shitës të panjohur”, deklaron Matoshi.
Ndryshe, barnat nëpër barnatoret e Kosovës, nuk kanë çmime të unifikuara. Kjo, sipas zyrtarëve institucionalë, ndodh për shkak se Kosova nuk e ka një rregullore administrative që do të mund ta rregullonte këtë çështje. Ata thonë se laramania e çmimeve nëpër barnatore është evidente dhe një gjë e tillë ndodh për shkak të tregut të lirë që ekziston në Kosovë.
Qytetarët thonë se asnjëherë nuk kanë hasur në çmime të njëjta për të njëjtin ilaç në barnatore të ndryshme. Kaltrina Dula, qytetare, për Radion Evropa e Lirë thotë se nëpër barnatoret e Kosovës çmimet varrojnë, madje me vlera të larta. Për të njëjtin ilaç në barnatore të ndryshme, diferenca është shumë e madhe.
“Nëse nuk i frekuenton disa barnatore, për t’i shikuar çmimet e barnave, patjetër se do ta marrësh me çmim të lartë. Të njëjtin ilaç e gjen me 3 euro në një barnatore dhe me 7 euro në barnatoren tjetër, me të njëjtin emër dhe prodhues. Ndonëse është treg i lirë, mendoj se çmimet do të duhej të ishin pak më të unifikuara, edhe pse dallojnë, mos të ketë një diferencë kaq të madhe në çmim”, thotë ajo.
Edhe vetë anëtarë të Shoqatës së Farmacistëve të Kosovës, kanë deklaruar se laramania e çmimeve e destabilizon tregun farmaceutik, andaj, sipas tyre, kjo çështje duhet rregulluar sa më shpejt.
Temë debatesh disa herë ka qenë edhe çështja e blerjes së barnave nga Ministria e Shëndetësisë me çmim më të shtrenjtë disa herë se çmimi real i tyre në treg.
Këshilltari Albatrit Matoshi shpjegon se si do ta rregullojnë në të ardhmen këtë çështje:
“Ministria e Shëndetësisë është në proces të hartimit të udhëzimit administrativ për çmimet e barnave, me ç’rast do të ketë kontroll të asaj se çka dhe si do të paguhet nga Ministria e Shëndetësisë. Drafti i parë i udhëzimit administrativ, tashmë ka përfunduar dhe ky është bërë në përputhje me rekomandimet nga Organizatës Botërore të Shëndetësisë”, raporton rel.
“Sapo të vijnë komentet e fundit, Ministria e Shëndetësisë do të mbajë edhe takimet përmbyllëse të grupit punues dhe do të mbajë edhe diskutimin publik me ç’rast do të jenë të ftuar të gjithë aktorët relevantë që kanë të bëjnë me këtë fushë, përfshirë edhe mediet”.
“Synimi është që të krijohet kontrolli i çmimeve përmes çmimeve referente nga shtetet e rajonit, duke mos lejuar që diferencat në çmime për të njëjtat produkte të jenë shumëfish më të larta se në rajon”.
Sektori i shëndetësisë, duke veçuar sidomos atë të barnave, ka rezultuar të jetë ndër më të korruptuarit, ishte thënë vitin e kaluar në javën kundër korrupsionit, e cila mbështetet nga Ambasada Amerikane në Prishtinë dhe ambasadat e vendeve të Quint-it.
Mbi 20 milionë euro në vit ndahen për buxhetin e nevojshëm për barna dhe material shpenzues në Kosovë. Ky buxhet,sipas zyrtarëve shëndetësorë, cilësohet si i pamjaftueshëm.
Ministria e Shëndetësisë do ta bëjë menaxhimin e kontratave për barna dhe material shpenzues përmes një sistemi elektronik, i cili është aktiv që nga dita e enjte. Këtë e ka bërë të ditur ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili./REL
T’i mbijetosh dimrit me vitaminën D
Tiranë/ Policia operacion kundër lojërave të fatit, kapen di...
OKB: Viti 2024 më vdekjeprurësi për punonjësit e ndihmave hu...
Deklaratat befasuese të Oltës dhe Milaimit rreth afërsisë me...
KEK-u deklaron se performanca e këtij viti është dukshëm më ...
Sara apo Edi: Cili nga këta dy banorë e ngjalli Drilonin në ...