Përmbytjet, situata në Shkodër alarmante

10:49 | 24 Mars 2018
Arbresh.info

Edhe pse ditën e sotme reshjet kanë pushuar situata e përmbytjeve në Shkodër vazhdon të mbetet e pandryshuar.

Ministria e Mbrojtjes informon se janë 4888 ha tokë të nën ujë në bashkinë e Shkodrës, ndërkohë që dje kjo  sipërfaqe ishte 5003 ha. Niveli i ujit është ulur me 10- 15 cm.

“Deri më tani, 26 familje janë evakuuar, 2 mijë banorë janë lehtësuar me transportin e përditshëm. Janë evakuuar e po trajtohen me bazë ushqimore 2 500 krerë bagëti” informon sot ministria e Mbrojtjes.

600 efektive të Forcave të Armatosura janë angazhuar në Shkodër që prej 5 Marsit me forcimin e argjinaturave, shpërndarjen e ushqimeve dhe ardhjen në ndihmë të banorëve për evakuim por dhe lëvizje.

Nga Rezervat e Shtetit janë shpërndarë pako ushqimore, shtretër, çadra, batanije e çizme për banorët në vështirësi, shkruan syri.net.

Janë përforcuar 650 metra argjinaturë në Pentarë e Cas. Janë shpërndarë mbi 30 mijë kg ushqime e detergjentë, 23 mijë litra ujë e më shumë se 53 mijë kg koncentrat.

Lidhur me situatën, ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka përmes rrjeteve sociale shprehet se niveli i ujit në zonat e përmbytura në Shkodër ka nisur të ulet, megjithatë Forcat e Armatosura të Shqipërisë vijon të mbeten pa ndërprerje pranë banorëve.

Ajo ka shkruar në facebook se janë shpërndarë mijëra kg ushqime, ujë i pijshëm dhe koncentrat për bagëtitë, por shumë më tepër pritet të shpërndahen.

“Ndërkohë që FA përforcuan argjinaturat e Pentarit dhe Casit bashkë me banorët, pushteti lokal të lërë propagandën boshe dhe të marrë përgjegjësitë e të bashkëpunojë për shpërndarjen e ndihmave te banorët, sipas nevojave, pa asnjë dallim”, ka shkruar ajo./syri.net

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme