Grupi i Pavarur i Deputetëve tashmë kanë ndërmarrë nismën e parë që nga shkëputja prej Lëvizjes Vetëvendosje.
Grupi i Pavarur prej 12 deputetëve kanë iniciuar Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për hetim parlamentar në mënyrë që projektligji t’i plotësojë të gjitha aspektet formale për t’u proceduar në Kryesi të Kuvendit të Republikës së Kosovës, shkruan arbresh.info.
Kjo gjë është bërë e ditur nga deputetja, Aida Dërguti përmes një postimi në profilin e saj në facebook.
Ajo ka shkruar se me këtë projektligj synojnë që të eliminojnë disa aspekte procedurale.
Shkrimi i saj i plotë në facebook:
“NISMA LEGJISLATIVE PËR KOMISIONET HETIMORE PARLAMENTARE
Komisionet hetimore janë ndër instrumentet më të rëndësishme për kontrollin parlamentar ndaj institucioneve qeveritare si dhe agjencive që burojnë nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.
Prandaj, me mbështetjen e deputetëve të Grupit të Deputetëve të Pavarur, e kam proceduar Nismën Legjislative: Projektligji për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Hetim Parlamentar, që projektligji t’i plotësojë të gjitha aspektet formale për t’u proceduar në Kryesi të Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Me këtë projektligj synojmë që të eliminojmë disa aspekte procedurale:
Grupeve parlamentare t’u caktohet afat i shkurtër për t’i dërguar nominimet për anëtarë të komisionit. Në këtë kuptim, kemi konsideruar se afati prej 7 ditësh është i mjaftueshëm.
Në të kaluarën, komisionet hetimore nuk kanë arritur të themelohen sepse diferenca e anëtarëve të përgjithshëm pozitë-opozitë ka qenë një më shumë. Ndërsa, me projektligjin e ri, synohet që kjo praktikë të ndryshojë. Projektligji i ri diferencën e anëtarëve te përgjithshëm në raport opozitë-pozitë në Kuvend e vendos një anëtar më shumë nga opozita. Kështu, në asnjë mënyrë grupet parlamentare që janë në qeverisje nuk do të mund t’i bllokonin komisionet hetimore.
Ndryshim tjetër, do të jetë edhe emërimi i Kryesuesit dhe i zv. Kryesuesit të komisionit. Konsiderojmë që kryesuesi duhet të zgjidhet nga radhët e grupit parlamentar që është iniciator i Komisionit Parlamentar. Ndërsa zëvendës kryesuesi duhet të emërohet nga Kuvendi me propozim të grupit parlamentar që është bashkëiniciator i themelimit të komisionit, grup parlamentar i cili është pjesë e nënshkrimeve në listën e iniciatorit.
Ndryshim pozitiv do të jetë edhe raporti përfundimtar. Me ligjin bazik, pas miratimit të raportit, ky i fundit mbetej në sirtarët e Kuvendit. Ndërsa, me ligjin e ri, raporti me rekomandime i miratuar në Kuvend, i dërgohet për njoftim Qeverisë së Kosovës, Ministrive përkatëse, Presidentit, dhe Institucionit të Avokatit të Popullit.
Raporti i miratuar në Kuvend, së bashku me rekomandime i dërgohet Prokurorit të Shtetit për marrjen e masave të mëtejshme.
Prokurori i Shtetit e informon Kuvendin për ecurinë e hetimit mbi çështjet e rekomanduara për hetim.
Si deputete, dhe si grup parlamentar jemi të hapur ndaj të gjithë atyre që kanë interes për të ndihmuar në amendamentimin e këtij projektligji pas kalimit në parim”, ka shkruar Dërguti në facebook./arbresh.info/
Ministrat e G7-ës takohen në Itali për të diskutuar për konf...
Sulmuesi kosovar po shkëlqen në Rumani
Vendoset gurthemeli i nënstacionit të Policisë së Kosovës në...
“Luks apo nevojë?” – Presidentja Osmani e hap ku...
FSK realizon trajnim për sistemin e armëve me ushtrinë turke
Konjufca pret në takim homologun nga Maqedonia e Veriut