Deda: Dhuna mjet i papranueshëm politik, në fund të vitit s’do të jemi vend i burgosur

00:42 | 22 Mars 2018
Trina Galanxhi

Deputeti i Alternativës, Ilir Deda e ka vlerësuar si lajm shumë të mirë ratifikimin e demarkacionit me Malin e Zi, ndërsa thotë se deri në fund të këtij viti do bëhet liberalizimi i vizave.

“Lajm shumë i mirë për Kosovën. I kam parë njerëzit e gëzuar e duke uruar njëri tjetrin. Ky ka qenë kushti vendimtar për liberalizim. Mendoj se Këshilli i Evropës në javën e ardhshëm do të na thërret për proces të mëtutjeshëm dhe që deri në fund të këtij viti të marrim liberalizimin. Në fund të këtij viti s’do të jemi vend në burg, siç jemi sot”, ka deklaruar Deda në Interaktiv të KTV-së.

Ai thotë se Kosova ka humbur shumë për shkak të këtij demarkacioni, përderisa fqinjët kanë ecur shumë drejt BE-së. Ndërsa ka theksuar se aspak nuk e ka menduar, as ai e as deputetët e tjerë se sot do të ketë gaz lotsjellës në Kuvend.

“Shqipëria, Serbia, Mali i Zi e Maqedonia tashmë kanë ec shumë dhe po e marrin statusin e kandidatit për në BE, madje edhe Bosnja është kandidate, e ne po merremi me kësi çështje teknike. Dje është ditë që është numri i deputetëve që me vullnet të lirë kanë vendosur ta votojnë demarkacionin. Askush nuk ka menduar se do të ketë gaz, kemi pritur që për 15 minuta do ta votojmë e do të nisim seancën tjetër. Në Kuvend për herë të parë u diskutua për demarkacion dhe kjo është një gjë e mirë”, ka thënë Deda.

Deda më tutje ka thënë se është ndier keq kur ka parë arrestimin e deputetëve të Vetëvendosjes, por shton se dhuna është e pranueshme dhe ishte pikërisht kjo arsyeja e largimit të tij nga kjo parti.

Ndërsa për komentet e Albulena Haxhiut, e cila ka deklaruar se ka dëgjuar Dedën duke thënë se, “do t’i tërhiqte zvarrë deputetët e Vetëvendosjes nëse do të ishte në vendin e Veselit”.

“Ato janë gjëra fëmijërore (komentet e Haxhiut). Më ka ardhur keq kur i kam parë ata duke u arrestuar, unë për atë arsye jam dalë prej VV-së pasi dhuna është mjet i papranueshëm politik. Kujt do t’i kërkojë Albini të bashkëpunojë, neve tradhtarëve. Mali i Zi neve na ka ndihmuar shumë, pa pasur nevojë ta bëjë një gjë të tillë. Nëse ne kemi pasur 3 vjet me demarkacionin me Malin e Zi, e çfarë do të ndodhë me atë me Serbinë që e kemi deri në vitin 2021”, ka thënë Deda.

Ai më tutje ka shtuar se sot ishte Adem Hoxha njeriu që ishte vendimtar për ratikfimin e demarkacionit, e ishte sinjal që duhet të punohet më tepër me goranët në Kosovë.

“Adem Hoxha i përket komunitetit goran, i cili pas zgjedhjeve ka hyrë bashkë me Listën Serbe. Ai ka marrë një hap të guximshëm që duhet ta përshëndesim, por është një sinjal që tregon se ne duhet të punojmë me ta më shumë. E faktikisht ishte ai që e ratifikoi demarkacionin. Më vjen keq që aty nuk ishte edhe Vetëvendosje dhe të tjerët të cilët do të duhej të votonin pro, pasi nuk ka më mëdyshje. Nesër fillojnë temat e tjera që janë shumë të rëndësishme për vendin tonë. Shpresoj thellë që është marrë një mësim për të mos u bllokuar për kohë të gjatë për shkak të mos aftësisë politike për të zgjidhur çështjet”, shprehet ai.

Ai ka shtuar më tutje se, “çdo tre muaj ata i masin për 34 rastet, dhe ata e shohin nëse ka apo jo përparim. Në qershor Kosova rekomandohet për liberalizimin, dikush po thotë edhe në tetor, megjithatë e rëndësishme se sivjet hiqen vizat. Kjo nuk është punë e një partie politike, por e secilit individ që dëshiron popullin e vet të barabartë me të tjerët. Tash do të bëhet trupi i përbashkët i kufirit me Malin e Zi që do të bëjnë përmirësimet drejtë Zhlepit e Çakorrit, normal nëse ka dokumente”.

Deda gjithashtu ka shtuar se presidenti Hashim Thaçi nuk ka mandat që të takohet me Aleksandër Vuçiqit e as të bisedojë me të, pasi këtë duhet t’ia japë Kuvendi.

“Ai nuk ka mandat që të takohet me Vuçiqin e as të diskutojë me të, e atë mandat duhet t’ia japë Kuvendi. Thaçi më duket se nuk e ka pa se pa konsensus të përbashkët të marrë vendime të tilla”, shprehet ai.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme