Google ADS

Policia e Kosovës po heton për të kuptuar se si është futur gazi lotsjellës në Kuvend

15:34 | 21 Mars 2018
Arbresh.info

Policia e Kosovës, lidhur me seancën e Kuvendit të Republikës së Kosovës (RKS), ka bërë të ditur se janë bërë planifikimet policore duke ndërmarrë masat e nevojshme ligjore për ofrimin e sigurisë dhe ushtrimin e kontrollit, bazuar në procedurat e parapara ligjore si dhe rregulloren e Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Policia e Kosovës me zyrtarët e saj policorë ka aplikuar masën e rëndomtë të kontrollit policor në hyrjet e Kuvendit të Kosovës, mirëpo nuk ka hasur në ndonjë mjet të dyshuar gjatë hyrjes së personaliteteve në Kuvend.

Referuar pamjeve publike dhe informacioneve të siguruara është kuptuar se disa minuta pas fillimit të seancës parlamentare deputetë të caktuar kanë hedhur mjete të dyshuara gaz lotsjellës.

Pas hedhjes së gazit lotsjellës seanca është anuluar dhe referuar rrethanave dhe situatës së krijuar në ambientet e Kuvendit të RKS-së ku është hedhur mjeti i dyshuar, Policia e Kosovës në konsultim dhe koordinim me prokurorin kompetent, ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore për hetimin dhe verifikimin e mjeteve të dyshuara.

Një situatë e tillë e hedhjes së gazit lotsjellës është përsëritur edhe gjatë vazhdimit të pjesës së dytë të seancës parlamentare, nga deputetë të caktuar.

Vlen të potencohet se të gjitha veprimet policore janë realizuar konform autorizimeve ligjore, ndërsa për të ndërhyrë brenda në seancën parlamentare kërkohet vendimi dhe kërkesa e kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Sigurojmë qytetarët dhe opinionin e gjerë se veprimet individuale të deputetëve nuk kanë asnjë lidhshmëri me zyrtarët policorë që janë në kryerje të detyrës.

Bazuar në kompetencat dhe autorizimet ligjore që ka, Policia e Kosovës është duke ndërmarrë veprimet e saja hetimore drejt zbulimit se si është futur mjeti i dyshuar në sallën e Kuvendit të Kosovës, si dhe çdo gjë tjetër rreth hedhjes së gazit lotsjellës.

Policia e Kosovës në vazhdimësi është duke bashkëpunuar dhe koordinuar me Prokurorinë e Shtetit, për të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme pasuese në raport me deputetët të cilët kanë hedhur gazin lotsjellës.

Edhe përkundër të gjitha vështirësive të shfaqura Policia e Kosovës vazhdon me realizimin e detyrave dhe obligimeve të saja ligjore.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme