Durrësi ende i përmbytur, kanalizimet e papastruara, “Bashkia do vetëm taksat”

16:21 | 20 Mars 2018
Arbresh.info

Një ditë më pas, pasojat e përmbytjes, veçanërisht në lagjet periferike të Durrësit janë të dukshme.

Në shkollën 9-vjeçare “Met Hasa” të Porto Romanos, ku niveli i ujit arriti mbi 1 metër, edhe sot ka qenë i pamundur zhvillimi i procesit mësimor.

Pas tërheqjes së ujit, balta ka zaptuar të gjithë oborrin dhe drejtues të shkollës, mësues e anëtarë të komunitetit janë angazhuar për të kthyer gjendjen në normalitet.

“Edhe sot nuk zhvillohet situata, sepse e tillë është situata. Ne po mundohemi ta kthejmë shkollën në normalitet”, u shpreh Hajri Nuhi, drejtor i shkollë “Met Hasa”.

Drejtori i shkollës kërkon një zgjidhje për këtë situatë të përsëritur që shkakton dëme në investimet që bëhen në përmirësimin e infrastrukturës shkollore, po cenon dhe procesin mësimor.

Të irrituar nga situata e përsëritur, pas çdo reshjeje shiu janë dhe banorët e Spitallë-Porto Romanos të cilët deklarojnë se nuk janë dëmshpërblyer asnjëherë, ndonëse përmbytjet u vijnë si pasojë e ndërtimeve pa kriter mbi kolektor e mospastrimit të kanaleve kulluese.

“2 milionë lek që mora ia hodha shtëpisë, vetëm 10 ditë zgjatën. Edhe njëherë tjetër mora 100 mijë lekë, më thoshin që nuk të takon”, shprehet një banor.

Edhe bizneseve të vogla të zonës janë dëmtuar rëndë, ndërsa shprehen se autoritetet vendore kujtohen vetëm për të vjelë taksat.

Reshjet e shiut kanë shkaktuar sërish rrëshqitje dherash nga Kodër Vila në rrugën e Currilave. Punonjës së ndërmarrjes së pastrim gjelbërimit, ashtu si dhe banorët në shumë lagje të qytetit, po punojnë për të larguar dherat e llumrat nga rrugët e rrugicat.

Shumë nga të prekurit nga përmbytjet e herëpashershme ndjehen të pashpresë. Përjetojnë prej vitesh dëme, ndërsa zgjidhja mungon./Top Channel

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme